Me moton #DrejtësiPërZejnepen, me datë 14 prill, nga ora 12:00, aktivistë të shoqërisë civile u bashkuan për të kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që vendimi mbi dënimin që i’u shqiptua vrasësit Nebih Berisha, i cili vrau gruan e tij në një akt të dhunës në familje, të apelohet dhe të ndryshohet.
Lajmi për vendimin u bë i njohur për publikun me datë 12 prill. Me urdhër të Gjykatës Themelore të Prizrenit vrasësi i viktimës së dhunës në familje u dënua me vetëm 12 vjet burgim. Kodi Penal i Republikës së Kosovës, në nenin 179 mbi Vrasjen e Rëndë thotë se “Me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet personi i cili: … 1.3. privon nga jeta anëtarin e familjes”.
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, përmes një komunikate për media, po atë ditë, reagoi kundër këtij vendimi, i cili u vlerësua si një dënim që nuk ishte propocional me veprën e kryer, duke marrë parasysh rrethanat se si ka ndodhur vrasja, peshën e veprës dhe dhunën sistematike që viktima kishte përjetuar.
Pas kësaj komunikate, RrGGK së bashku me aktivistët e shoqërisë civile organizuan protestën #DrejtësiPërZejnepen. Kërkesa e protestës ishte e qartë: vendimi mbi dënimin që i është shqiptuar vrasësit të viktimës së dhunës në familje, të ndjerës Zejnepe Bytyqi Berisha, të ankimohet nga prokuroria dhe të kërkohet dënim maksimal për kryerjen e veprës penale. Gjatë tërë kësaj tragjedie, ishte lënduar edhe vajza e tyre, andaj institucionet përkatëse do të duhej të ndërmirrnin veprimet e duhura në pajtim me ligjin.
Përveq aktivistëve të shoqërisë civile, në protest morrën pjesë edhe familjarët e viktimës. Nëna, motrat dhe dhëndurët e viktimës shprehën pakënaqësinë e tyre mbi vendimin e dënimit të shqiptuar nga gjykata Themelore në Prizren. Motra e të ndjerës, Znj. Hajrije Thaqi, ju drejtua medieve të cilat ishin të pranishme gjatë kësaj proteste duke shprehur pakënaqësinë e saj me dënimin e shqiptuar nga gjykata, dhe tregoi edhe për vuajtjet sistematike që motra e saj e ndjerë i kishte përjetuar nga bashkëshorti i saj. Një tjetër shqetësim i ngritur nga familjarët ishte edhe mos efikasiteti i institucioneve në ofrimin e ndihmës për viktimën, kur u ishte drejtuar këtyre institucioneve për 16 vite me rradhë sa ajo kishte përjtuar dhunën sistematike.
Procedurat Standarde të Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje i definojnë qartazi detyrat dhe obligimet e institucioneve në ofrim të mbrojtjes nga dhuna në familje. Në rastin më mirë, nëse këto procedura zbatohen ashtu siç kërkohet nga institucionet përgjegjëse, qytetarët e kosovës do të pranonin mbrojtjen dhe trajtimin e duhur nga dhuna në familje. Fatkeqësisht, në rastin e Zejnepe Bytyqi Berisha, institucionet kanë dështuar në ofrimin e kësaj ndihme. Në vitin 2012 e ndjera kishte tentuar të bëj vetvrasje, por kjo nuk i kishte alarmuar institucionet e Kosovës për të hetuar se cili ishte shtytësi i kësaj tentim-vrasjeje. Poashtu, një vit para së ta vriste gruan e tij, kryesi i veprës ishte arrestuar për dhunën në familje, por me kërkesë të së ndjerës ai ishte liruar. Institucionet e drejtësisë dhe mbrojtjes në Kosovë edhe me këtë rast kanë dështuar në trajtim dhe respektim të procedurave standarde të operimit. Nëse shërbimet rehabilituese do të ishin funksionale në Kosovë, dhe me kryesit e veprave të tilla do të punohej intenzivisht duke i rehabilituar dhe trajtuar, gjasat janë që sot do të kishim më pak raste të vrasjeve dhe të formave të tjera të dhunës në familje.
Iniciativa për të ndihmuar familjarët e viktimës nuk u përfundua vetëm me organizimin e protestës kundër vendimit të shqiptuar. RrGGK pas kësaj proteste, ka vazhduar bashkëpunimin me familjarët e së ndjerës, duke ju ofruar një eksperte ligjore e cila në bashkëpunim me prokurorin e caktuar për këtë rast, do të apelojnë kundër vendimit të shpallur nga Gjykata.