Aktivistët kërkojnë përfshirjen e perspektivës gjinore në Procesin e Berlinit

Procesit të Berlinit historikisht i ka munguar perspektiva gjinore. Pas disa vitesh avokimi nga organizatat për të drejtat e grave, kjo situate ka filluar të ndryshojë. Këtë vit, të gjitha grupet sektoriale të punës janë angazhuar për të integruar perspektivën gjinore – krahas grupit të posaçëm për Barazinë Gjinore dhe Diversitetin– një zhvillim i rëndësishëm në kontekstin e ngushtimit të hapësirës për aktivistët, organizatat dhe lëvizjet për të drejtat e grave.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) është krenar të jetë pjesë e një koalicioni rajonal të organizatave për të drejtat e grave, i mbështetur nga Fondacioni Kvinna till Kvinna. Prej vitesh, ky koalicion kontribuon përmes ekspertëve të tij për të ndikuar dhe informuar Procesin e Berlinit. Këtë vit, RrGK ka dhënë kontributin e vet në dokumentin e përbashkët të koalicionit për grupet punuese. Rekomandimet kryesore përfshijnë:

  • Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Rritja: Të kërkohet realizimi sistematik i analizave të ndikimit gjinor për të udhëhequr hartimin e e të gjitha marrëveshjeve rajonale të bashkëpunimit dhe për të vlerësuar efektet e tyre, duke siguruar që ato të mos forcojnë apo thellojnë pabarazitë ekzistuese gjinore.
  • Gjinia dhe Diversiteti: Të institucionalizohet buxhetimi i përgjegjshëm gjinor në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si pjesë e reformave të financave publike të lidhura me procesin e anëtarësimit në BE. Kjo përfshin ndryshimin e kornizave ligjore në përputhje me OZHQ-të (treguesi 5c1) dhe Kornizën për Shpenzimet Publike dhe Llogaridhënien Financiare (PEFA), me synim sigurimin e një përdorimi transparent dhe të bazuar në dëshmi të burimeve publike, përfshirë avancimin e barazisë gjinore.
  • Pajtimi dhe Ballafaqimi me të Kaluarën: Të sigurohet që gjitha nismat për drejtësinë dhe të vërtetën historike të përfshijnë në mënyrë sistematike analiza gjinore, duke garantuar që përvojat e grave gjatë konflikteve – përfshirë shkeljet e të drejtave të tyre seksuale dhe riprodhuese – të njihen plotësisht dhe të mos injorohen.
  • Qeverisja e Mirë: Të sigurohet përfshirja domethënëse OShC-ve të ndryshme dhe  ekspertëve për çështje gjinore në hartimin, shqyrtimin dhe monitorimin e reformave ligjore  –  përmes proceseve të hapura dhe transparente të konsultimit publik, përfshirë ato në sektorin e drejtësisë.
  • Mjedisi, Energjia dhe Dekarbonizimi: Të kërkohet përdorimi sistematik i analizave gjinore ndërthurëse për të udhëhequr politikat për ndryshimet klimatike, mjedisin dhe tranzicionin energjetik, në përputhje me PVGj III. Këto analiza duhet të vlerësojnë ndikimet që politikat lidhur me ndryshimet klimatike kanë tek gratë dhe burrat, veçanërisht tek grupet e margjinalizuara, dhe të udhëheqin hartimin e politikave gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme ndaj aspektit gjinor.
  • Siguria: Të sigurohet që të gjitha reformat në sektorin e sigurisë të bazohen në analiza gjinore që marrin parasysh nevojat e grave dhe burrave nga profile dhe grupe të ndryshme. Të zbatohet plotësisht dhe të financohet si duhet Konventa e Stambollit dhe legjislacioni përkatës për luftimin e dhunës me bazë gjinore. Strategjitë kombëtare duhet të adresojnë boshllëqet ekzistuese përmes financimit të qëndrueshëm, bashkëpunimit ndërinstitucional, përdorimit të të dhënave të ndara sipas gjinisë, trajnimit adekuat të profesionistëve në të gjitha institucionet përkatëse, edukimit publik dhe ofrimit të shërbimeve të mbështetjes që vendosin në qendër të mbijetuarat/it.

Rekomandimet janë dërguar raportuesve të grupeve tematike, dhe RrGK është e gatshme të punojë përkrah anëtarëve të tjerë të grupeve punuese për t’u siguruar që ato të pasqyrohen në Procesin e Berlinit dhe të mbështeten me zotime  konkrete nga qeveritë.

Procesi i Berlinit është nismë rajonale që bashkon vendet e Ballkanit Perëndimor dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, me qëllim mbështetjen e paqes, stabilitetit dhe integrimit evropian të rajonit. Që nga fillimi në vitin 2014, procesi është fokusuar në nxitjen e dialogut, zhvillimit ekonomik dhe reformave politike. Organizatat e shoqërisë civile kanë luajtur një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në formësimin e agjendës së këtij procesi – duke kërkuar më shumë përfshirje, llogaridhënie dhe barazi gjinore. Këtë vit, Forumi i Shoqërisë Civile dhe Forumi për Barazi Gjinore, që kontribuojnë me ekspertizë dhe njohuri, janë mbështetur nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.