Aktivistet nga Ballkani trajnohen për avokim në nivel të BE-së

 Nga 2 deri më 3 nëntor, aktiviste për të drejta të grave nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Bruksel për t’i zhvilluar shkathtësitë e tyre për avokim në nivel të BE-së. Pasi që shumë nga këto gra kanë qenë të përfshira në avokim dhe lobim për shumë vite, trajnimi kishte për qëllim avancimin e avokimit dhe lobimit të tyre në Bashkimin Evropian. 
   Trajnuese në këtë punëtori ishte Constanza de Toma, një aktiviste për të drejta e grave dhe të riprodhimit në BE, si dhe ndihmëse e një ish-deputeti të Parlamentit Evropian. Përvoja e saj ishte me rëndësi thelbësore pasi që ishte eksperte në të dyja aspektet: si në aspektin e brendshëm, po ashtu edhe në aspektin e jashtëm të BE-së. 
    “Lobimi në BE është mjaftë i ndryshëm nga format e tjera të avokimit. Ju duhet të dini se si t’iu qaseni atyre te të cilët dëshironi të loboni, të mësoni ta flisni “Eurogjuhën” e tyre, si dhe ta dini me saktësi se kur dhe te kush t’i ngritni çështjet tuaja” u shpreh trajnuesja Constanza de Toma Gjatë ditës së parë të trajnimit u ofruan informata lidhur me atë se çfarë është Bashkimi Evropian, çfarë bën ai dhe si është i organizuar. Po ashtu u ofruar informata lidhur me institucionet kryesore të cilat e përbëjnë BE-në dhe se cilat janë puna, përgjegjësitë dhe kompetencat e tyre. Pjesëmarrëset diskutuan për acquis communautaire të BE-së dhe për atë se çka do të thotë kjo për të drejtat e grave. Po ashtu, pjesë e diskutimit ishte edhe vlerësimi kritik i perspektivës gjinore të BE-së. 
De Toma po ashtu diskutoi dhe vlerësoi në mënyrë kritike procedurat legjislative të BE-së, përmes të cilave hartohet, ratifikohet dhe zbatohet legjislacioni. Pjesëmarrëset diskutuan lidhur me atë se kur dhe si mund të integrohet perspektiva gjinore në këtë proces.   
   Dita e 2-të, në anën tjetër, u përqendrua më shumë në forcimin e avokimit. Trajnimi ishte i përqendruar në ciklin avokues të të drejtave. Pjesë thelbësore e këtij trajnimi ishte zhvillimi i një “Teorie të Ndryshimit”.   
Disa prej informatave më të rëndësishme të trajnimit “Si të loboni në BE” përfshinin këto këshilla:

              Përgatitja për një takim lobues
  • Duhet ta keni të qartë se çfarë dëshironi të arrini nga takimi; caktoni 3 – 4 objektiva të qarta dhe specifike
  • Përgatituni para takimit, duke përfshirë edhe atë se si do të apeloni para vendimmarrësve dhe se si do t’iu përgjigjeni kundër-argumenteve të tyre
  • Mendoni për ata te të cilët dëshironi të loboni si individë, kuptojeni se çfarë i bën ata të veprojnë dhe përshtatni argumentet tuaja në përputhje me këtë – kjo mund të kërkojë që të veproni në nivele të ndryshme, p.sh. në nivel të racionalitetit, mirëkuptimit/ndjenjave, identitetit moral, zbulimit të ndonjë hobi, përfitimeve për institucionin e tyre / statusin personal të tyre
  • Nëse është e përshtatshme, përgatitni një letër njëfaqëshe ku i theksoni mesazhet dhe objektivat tuaja kyçe avokuese dhe ua dorëzoni në fund të takimit. Është mirë ta shqyrtoni mundësinë e përkthimit të materialeve edhe në gjuhë të tjera të rëndësishme të BE-së me qëllim që lobimi juaj të ketë shtrirje më të gjerë në mesin e eurodeputetëve dhe shteteve anëtare
 Gjatë takimit lobues:
  • Mendoni rreth kodit të veshjes – megjithëse kjo është specifike në aspektin  kulturor/politik, veçanërisht në Parlamentin Evropian, rregulli themelor është të visheni në mënyrë të duhur me qëllim që të ndiheni rehat dhe që vendimmarrësi/ja t’ju marrë seriozisht.
  • Asnjëherë mos u vononi dhe parashikoni kohë të mjaftueshme për kontrollin e sigurisë para takimit, kur kjo është e nevojshme.
  • Takohuni paraprakisht me delegacionin tuaj që të vendosni se kush do ta udhëheqë takimin, cilat do të jenë pikat kyçe, taktikat si dhe për atë se kush çka do të thotë dhe kush ta mbajë procesverbalin
  • Sigurohuni që udhëheqësja juaj të fillojë dhe të përfundojë duke e falënderuar vendim-marrësin/en për kohën e tij/saj, ndihmojeni që ta ketë parasysh agjendën e takimit, t’i prezantojë pjesëmarrëset, ta përmbledhë agjendën, të pajtohet lidhur me atë se a janë komentet dhe procesverbali zyrtar apo jo-zyrtar, a janë konfidenciale, etj.
  • Në fillim të takimit, sigurohuni që t’ia caktoni dikujt detyrën e përmbledhjes dhe të dakordimit të hapave të ardhshëm, dhe këtë ta bëjë sapo të afrohet fundi i takimit
  • Paraqitni 3 – 4 pika koncize dhe specifike, shmangni listën e gjatë të kërkesave
  • Sigurohuni që të jepni propozime të qarta dhe realiste, jo vetëm kritika
  • Përdorni argumente të arsyeshme dhe të bazuara në dëshmi, e jo  gjuhë emocionale ose subjektive
  • Tregoni siguri – as tepër e respektueshme e as tepër ligjëruese, agresive apo fyese 
  • Tregohuni objektive dhe e qetë, por këmbëngulëse
  • Krijoni dialog; mos e dominoni takimin, por mundohuni që të mos e lejoni as personin te i cili po loboni që ta dominojë atë
  • Dëgjoni, bëni pyetje, jepni sugjerime me qëllim që personi te i cili po loboni të angazhohet dhe të krijojë besim
  • Tregoni respekt për mendimet e të tjerëve, madje edhe kur nuk pajtoheni me ato mendime
  • Tregoni ndjeshmëri ndaj ndryshimit të disponimit të palës tjetër (dakordim, zemërim, mërzitje) dhe ndryshojeni taktin sipas rrethanave
  • Dini kur të ndaloni, mësohuni të gjykoni se sa mund ta shtyni një argument të caktuar dhe se kur është koha të vazhdohet tutje
  • Kritikoni politikat e këqija por mos filloni me sulme personale kundër vendimmarrësve
 Pas takimit:
  • Mbani një takim informues me delegacionin tuaj
  • Gjithmonë pas takimit, dërgoni një letër ku e falënderoni vendimmarrësin/en për takimin dhe i theksoni pikat e marrëveshjes dhe hapat e ardhshëm.
 Ky trajnim dy ditorë u mbështet nga Kvinna till Kvinna dhe projekti i tyre për sjelljen e nismave avokuese të OSHC-ve të grave nga Ballkani më afër Bashkimit Evropian.