Aktiviste e pashembullt dhe gruaja e parë që shërbeu si drejtore shkolle në Has.
Kjo është Marta Prekpalaj, e cila është aktivistja e radhës me të cilën Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka bashkëbiseduar në vazhdën e serisë së publikimeve të RrGK-së për kontributin e aktivisteve për të drejtat e njeriut në Kosovë.
Bisedën tonë, Prekpalaj e fillon duke u kthyer në kohë- atëherë kur së bashku me Organizatën Motrat Qiriazi punuan parreshtur për zhdukjen e analfabetizmit dhe fuqizimin e grave e vajzave.
“E kujtoj që asokohe më shumë problem ka qenë që vajzat të ndjekin shkollën e mesme. Shkollën fillore e kishin të kryer shumica, mirëpo, kur kam qenë unë në shkollë të mesme (1981) ishim vetëm tri vajza nga Prizreni”, tregon Prekpalaj, teksa shton se gjithnjë ka dashur t’i ndihmojë vajzat e tjera që ta ndjekin shkollimin.
Këtë synim edhe e jetësoi, pasiqë tani në shkollat e Hasit shkollimin e ndjekin më shumë vajzat se djemtë.
Tutje, ajo sjell ndër mend hapjen e shkollës së parë në Gjonaj të Hasit, në vitin shkollor 1994/95, si dhe shkollën paralele të mjekësisë në Romajë, në vitin 1996.
Meritat për të dy këto arritje ajo ia atribuon Motrave Qiriazi.
“Me aktivistet e Motrave Qiriazi kemi bë aktivitete të shumta, kemi mbajtur kurse të ndihmës së parë, fshat më fshat, e lagje me lagje. Kemi organizuar edhe vizita shëndetësore për ato gra që kanë pasur nevojë të udhëtojnë për në Prishtinë, kemi mbajtur kurse rrobaqepësie, si dhe kemi hapur biblioteka”, thotë ajo.
Aktivizmi i Motrave Qiriazi po zhvillohej në gjendje lufte dhe kjo e sfidonte punën, mirëpo, edhe e bëri kontributin e Motrave Qiriazi krejtësisht të paharrueshëm.
Prekpalaj, gjatë kësaj bisede, kujton këtë kohë duke veçuar kur ka ndihmuar gratë dhe fëmijët e Krushës së Vogël duke i bartur me traktor.
“Ditën kur ka ndodhur masakra në Krushë të Vogël, gratë dhe fëmijët i kanë dërgu te lumi Drini i Bardhë, kurse unë kam dalë nëpër lum me traktor edhe i kam strehu”, kujton ajo këtë moment guximi kur lufta mbizotëronte në të gjitha anët.
Duke pasur parasysh se gjatë rrugëtimit për të drejtat e grave, Prekpalaj ka bashkëpunuar gjatë me RrGK-në, ajo flet për kontributin e RrGK-së ndër vite për përparimin e të drejtave të grave anë e mbanë Kosovës.
“Që pas përfundimit të misionit të Motrave Qiriazi, RrGK filloi të krijojë një rrjet të organizatave të grave në Kosovë, në Ballkan dhe Evropë. Si aktiviste, e vlerësoj tejet shumë aktivizmin shumë vjeçar të RrGK-së, e sidomos takimet dhe mbledhjet e grave që RrGK ka mundësuar dhe ende mundëson.”
“Këto mbledhje janë të pazëvendësueshme- aty mblidhen aktivistet për të drejtat e grave dhe flasin për gjëra që prekin fusha të ndryshme”, thotë ajo.
Prekpalaj ka veçuar krijimin e Fondit të Grave të Kosovës, si shtysë të rëndësishme drejt mbështetjes financiare për organizatat lokale të të drejtave të grave.
Për fund, ajo ka një mesazh për gratë dhe vajzat të cilat hasin vështirësi gjatë rrugëtimit të tyre në karrierë.
“U them grave e vajzave: Ju mund të bëheni drejtore, mësuese e gjithçka tjetër që ju dëshironi të arrini. Të gjitha vajzat duhet të kenë kurajo e vullnet, dhe do të arrijnë gjithçka që ato duan”, tha ajo.
Kujtojmë se në vitin 2011, Prekpalaj themeloi organizatën Gruaja Vizionare e Shekullit XXI. Ajo është shpërblyer me Çmimin Kreativiteti i Grave në Jetën Rurale nga Fondacioni i Samitit Botëror të Grave në 2006.