Përgjatë muajit gusht Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka punuar në realizimin e misionit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave dhe vajzave përmes vazhdimit të hulumtimeve dhe monitorimin e atyre organizatave anëtareve të cilat kanë pasur nevojë.
Kontributi i Fondit të Grave
Pavarësisht që pandemia COVID-19 ka prekur natyrën e punës në terren të Fondit të Grave të Kosovës (FGK), kjo gjë nuk i ka ndalur organizatat anëtare të RrGK-së, Rikotta dhe Qendra e Gruas “ATO” që të mbajnë takimin e parë mbi fuqizimin ekonomik dhe ngritjen e kapaciteteve të grave. Falë kësaj nisme, 30 gra boshnjake dhe gorane nga Prevalla dhe fshatrat përreth si Mushnikova, Gornosella, Reçani, Grnqare dhe Lubinje diskutuan së bashku brengat e tyre si dhe mundësitë për përmirësimin e situatës së grave dhe vajzave në këtë regjion. Lexo më shumë KËTU.
Po ashtu, stafi i RrGK-së ka ofruar ndihmë dhe mentorim për organizatat anëtare varësisht nga nevoja, duke pasur parasysh që ato janë duke punuar që të zhvillojnë aktivitete në ditët në vijim, në përputhje me situatën e krijuar.
Hulumtimi mbi zbatimin e Rezolutës 1325
Një tjetër angazhim i rëndësishëm i stafit të RrGK-së përgjatë këtij muaji ka qenë hulumtimi i cili do t’i paraprijë publikimit të dytë të Fakte dhe Fabula. Duke pasur parasysh suksesin e librit të parë të botuar në vitin 2011, ky publikim paraqet vazhdimësinë e monitorimit të zbatimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë. Ekipi hulumtues i RrGK-së ka intervistuar protagonistët e përfshirë në zbatimin e kësaj rezolute, tregimet e të cilëve do të mund t’i lexoni më vonë gjatë këtij viti, i cili shënon edhe 20 vjetorin e miratimit të kësaj rezolute.
Fakte dhe Fabula mund ta lexoni KËTU.
Raporti mbi dhunën me bazë gjinore
Po ashtu, ka vazhduar puna rreth hulumtimit lidhur me dhunën bazë gjinore në Kosovë. Ky raport, që vjen si vazhdimësi e raportit të vitit 2015 “Mjaft më me arsyetime”, mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), do të vë në pah sa është rritur vetëdija e grave dhe burrave për dhunën me bazë gjinore, që nga viti 2015 si dhe do të paraqesë reagimin e institucioneve ndaj kësaj dhune.
Kjo si përpjekje e vazhdueshme e RrGK-së për identifikimin e dhunës me bazë gjinore dhe pasojave të saj, e po ashtu edhe kërkimin e reagimit të duhur institucional për të dënuar këtë dhunë.
KËTU mund të lexoni të gjeturat kryesore të raportit “Mjaft më me arsyetime”.