Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Instituti i Psikologjisë Aplikative “Alpha” përgjatë tre muajve ka zbatuar me sukses nismën “Mbështetja e Vajzave Adoleshente për t’i tejkaluar problemet sociale dhe emocionale”, si përfituese e raundit të 15-të Fondit të Grave të Kosovës (FGK) të RrGK-së.
Mbi 100 vajza shqiptare dhe nga komuniteti boshnjak dhe turk në komunat e Prizrenit, Gjakovës dhe në Lubinjë të Epërme kanë përfituar nga nisma.
Projekti ka rezultuar me vetëdijesimin e vajzave, por edhe të nënave të tyre që vetëm bashkërisht mund të tejkalojnë sfidat që do t’u paraqiten gjatë kësaj faze dhe njëkohësisht janë pajisur me teknikat që do t’i përdorin në raste të caktuara.
Njëkohësisht një grup i vajzave është aftësuar me shkathtësi për të ngritur vetëdijesimin të të tjerët dhe të vazhdojnë nismën.
Ndër temat që u diskutuan gjatë aktiviteteve ku morën pjesë vajzat e klasave të teta dhe të nënta dhe nënat e disa prej tyre, u diskutua roli i nënës në parandalimin e ngacmimeve seksuale dhe dhunës me bazë gjinore tek vajzat adoleshente. Gjatë ligjërimit pati interaktivitet me pjesëmarrëset dhe për çështje specifike u zhvilluan debate shumë frytdhënëse.
Kjo nismë e organizatës Instituti i Psikologjisë Aplikative “Alpha” është mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i Mëtejshëm i të Drejtave të Grave në Kosovë II”, bashkë-financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.