Të premten më 20 tetor Ambasadorja e Kanadasë në Kroaci, Jessica Blitt, vizitoi zyret e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) së bashku me Zyrtaren për Marrëdhëniet Politike, Marrëdhëniet me Publikun dhe Median në Ambasadën e Kanadasë në Kroaci, Ida Mahecic Bajovic, si dhe Koordinatoren e Projekteve në Fondin Kanadez për Iniciativa Lokale (CFLI), Vlera Rexha.
Gjatë takimit drejtorja ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova i njoftoi përfaqësueset e Ambasadës Kanadeze mbi punën e Rrjetit të Grave të Kosovës, ndërsa Adelina Berisha Menaxhere e Programit foli për aktivitetet në lidhje me adresimin e dhunës me baza gjinore, e më specifikisht për projektin që po e zbatojmë me mbështetjen e CFLI me qëllim të rritjes së kapaciteteve të mekanizmave koordinues lokal kundër dhunës me bazë gjinore në adresimin e dhunës seksuale.
Ambasadorja Blitt theksoi rëndësinë e punës që RrGK bën dhe se pret edhe për bashkëpunime e nisma të tjera drejt avancimit të barazisë gjinore.
“Kanadaja është krenare të mbështesë partnerin e CFLI-së, RrGK-në. Ambasadorja Blitt ishte shumë e interesuar të dëgjonte për ecurinë e projektit të financuar që synon përmirësimin e trajtimit institucional të rasteve të dhunës me bazë gjinore përmes avokimit dhe ngritjes së kapaciteteve,” ka thënë Ambasada Kanadeze në një postim në Twitter.