Amnesty International publikon “Plagë që të djegin shpirtin”

 “Plagë që të djegin shpirtin’”: Kompensim për të mbijetuarit e përdhunimit gjatë luftës, por drejtësi s’ka akoma, ishte raporti i Amnesty International që u prezantua me 13 dhjetor në Hotel Sirius, në Prishtinë.

            Ky raport shpalos ndikimin shkatërrues fizik dhe psikologjike që u ka shkaktuar të mbijetuarve dhuna seksuale gjatë luftës, të cilët, deri tani, janë margjinalizuar nga shoqëria dhe nuk kanë marrë asnjë mbështetje nga qeveria.
            Gjatë moderimit të këtij prezantimi, Igballe Rogova, drejtore ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), duke folur për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, ndër të tjera tha se “Sot ato gëzojnë mbrojtjen ligjore dhe më në fund është aprovuar edhe buxheti për kompensim material. Tash shpresojmë që ato do të besojnë në institucionet dhe të aplikojnë.” Tutje ajo shtoi se Amnesty International është një lëvizje globale e më shumë se 7 milion njerëzve të cilët bëjnë fushatë për një botë ku të drejtat e njeriut gëzohen nga të gjithë.
Gjatë prezantimit të raportit Sian Jones, hulumtuese për Kosovën dhe autore e raportit u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse të bëhet akoma më shumë për këtë kategori të lënë pas dore që dy dekada, sidomos sa i përket dënimeve të kryesve të këtyre krimeve madhore që kanë ndodhur në Kosovë.
Ndërsa Gauri van Gulik, Zëvendës-Drejtore e Zyrës për Europën dhe Azinë Qëndrore theksoi se “Duke filluar nga muaji janar, në vitin 2018, të mbijetuarve do t’u njihet statusi edhe zyrtarisht, dhe njëkohësisht do të mund të bëjnë kërkesën për të marrë shpërblime për dëmin e vuajtur […] Për shumë prej tyre do të jetë pak dhe shumë vonë”.