Analiza Gjinore e Paqes dhe Sigurisë synon të informojë Programet dhe Politikat

Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë ka kontraktuar Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK) për të kryer një Analizë Gjinore të Paqes dhe Sigurisë në Kosovë, me qëllim të informimit të zbatimit të angazhimeve të BE-së për gratë, paqen dhe sigurinë në veprimet e saj të jashtme. Analiza, e cila do të zhvillohet nga dhjetori 2024 deri në qershor 2025, synon të kontribuojë në hartimin e një plani të veprimit konkret për politikat dhe programet e BE-së në Kosovë. 

Kërkimi do të trajtojë pyetje të tilla si: 

  • Sa gjithëpërfshirës dhe i ndjeshëm ndaj dimensionit gjinor është kuadri ligjor i Kosovës në lidhje me paqen dhe sigurinë, dhe si mund të përmirësohet dhe zbatohet më mirë? 
  • Cilat janë shkaqet dhe pasojat gjinore të konfliktit në Kosovë? 
  • Si ndikojnë pabarazitë gjinore dhe marrëdhëniet e pushtetit në sfidat e paqes dhe sigurisë? 
  • Sa gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme ndaj dimensionit gjinor kanë qenë aktivitetet e mëparshme dhe të tanishme për parandalimin, ndërtimin e paqes dhe stabilizimin? 
  • Çfarë hapash politikë dhe programorë mund të ndërmarrë BE-ja për të siguruar një përgjigje më efektive, gjithëpërfshirëse, të ndjeshme ndaj dimensionit gjinor, të ndjeshme ndaj konfliktit dhe të qëndrueshme në ndihmën e saj aktuale dhe të ardhshme? 

Kërkimi do të përfshijë analizën e përmbajtjes, intervista dhe grupe fokusi me gra dhe burra të ndryshëm në Kosovë. RrGK-ja do të mbështetet në përvojën e saj të gjerë në kryerjen e hulumtimeve të ngjashme, duke siguruar një proces kërkimor pjesëmarrës dhe gjithëpërfshirës që angazhon akterë të ndryshëm, përfshirë qeverinë, shoqërinë civile, organizatat ndërkombëtare dhe grupet e margjinalizuara. RrGK po përdor një qasje të ndjeshme ndaj konfliktit, duke siguruar përzgjedhjen e vendeve të sigurta, komunikim të ndjeshëm dhe mbrojtje të pjesëmarrësve në kërkim, në përputhje me standardet etike ndërkombëtarisht të njohura. Për më tepër, qasja ndërsektoriale e RrGK-së merr në konsideratë pengesat që ndërthuren me gjininë, etninë, vendndodhjen, moshën, aftësinë e kufizuar, statusin socio-ekonomik dhe faktorë të tjerë. 

Përmes kësaj Analize, BE-ja dhe RrGK-ja synojnë gjithashtu të informojnë qeverinë, akterët ndërkombëtarë dhe përpjekjet e shoqërisë civile në Kosovë për një qasje më të ndjeshme ndaj konfliktit dhe dimensionit gjinor, e cila synon të adresojë nevojat e grave, burrave, vajzave dhe djemve të ndryshëm.