Për herë të parë pas shumë vitesh, gjatë fundjavës 26–28 shtator, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) pati mundësinë të mbledhë anëtaret e veta, Bordin dhe stafin në një takim tre-ditor të përkushtuar planifikimit strategjik. Bashkë u mblodhëm për t`u lidhur, për të reflektuar, planifikuar dhe për të bashkëkrijuar Strategjinë e re të RrGK-së.
Atmosfera në hapjen e së premtes ishte e mbushur me vendosmëri dhe forcë kolektive. Drejtoresha Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova, e nisi takimin me një mesazh që u ndje gjatë gjithë fundjavës: “Ne jemi këtu, dhe jemi të forta sepse jemi bashkë.”
Fjalët e saj e ndriçuan fuqinë e solidaritetit, një temë që u theksua edhe nga Nermin Mahmuti, kryesuese e Bordit të RrGK-së, dhe Mary Ann Hennessey, shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë.
Mahmuti theksoi se hapësira për veprim dhe mbështetja për grupet e të drejtave të grave po zvogëlohen, gjë që i bën momente të tilla grumbullimi edhe më të rëndësishme: “Keni bërë një punë të mrekullueshme për lëvizjen e grave edhe në këto kohë të pasigurta, dhe Rrjeti nuk ka reshtur së punuari për të siguruar që aktivizmi feminist të vazhdojë.”
Hennessey theksoi veçanërisht se biseda për fuqizimin e grave duhet të kalojë nga retorika në ndryshim sistemik:
“Pse flasim gjithë kohën për fuqizimin e grave? Sepse i shohim gratë, edhe sot, ashtu si edhe shekuj e mijëvjeçarë më parë, si të pafuqizuara në shumicën e sferave të jetës – publike dhe private. Por mungesa e pushtetit në asnjë mënyrë nuk është gjendje natyrore apo e lindur e grave. […] Grave nuk u duhet të “fuqizohen” – duhet vetëm që sistemet e ngulitura të shtypjes, të bazuara në mizogjini dhe lakmi, të heqin çizmen nga qafat tona.”
Ajo kujtoi gjithashtu se barazia gjinore është e pandashme nga vetë demokracia: “Ideja jonë moderne evropiane e demokracisë nuk mund të ekzistojë pa pjesëmarrjen e lirë dhe të barabartë të të gjithë qytetarëve e qytetareve. Demokracia nuk ka kuptim pa demosin – e gratë përbëjnë gjysmën e tij.” Ajo theksoi urgjencën e përfundimit të dhunës me bazë gjinore, transformimit të arsimit për të thyer ciklet e pabarazisë dhe ridimensionimit të pushtetit “si përgjegjësi, jo si privilegj.” Ajo përfundoi me një mesazh optimist: “Si një lumë, barazia mund të detyrohet të përkulet dhe të shkojë rreth pengesave, por gjithmonë e gjen rrugën drejt detit.”
Hapja vazhdoi me raportime nga stafi i RrGK-së mbi aktivitetet dhe rezultatet e programeve gjatë këtij viti.
E frymëzuar, Selvije Rexhepi, anëtare e RrGK-së nga Shoqata për Mirëqenie të Grave “Monsig”, recitoi një poezi që përmblodhi fjalimet hyrëse, duke theksuar se gratë mund të arrijnë, të qëndrojnë dhe të transformojnë. Duke përsëritur frazën e fuqishme “Mundesh, sepse je grua”, ajo nënvizoi se të qenit grua nuk është kufizim, por forcë.
Nena Rikallo, anëtare e RrGK-së nga organizata Ruka Ruci, shprehu gjithashtu mirënjohjen e saj: “Dua të veçoj punën dhe përkushtimin e RrGK-së, dhe të theksoj se me mbështetjen e tyre po punojmë për të përmirësuar pozitën e grave në shoqëri. Sa më shumë gra të kemi në pozita vendimmarrëse, aq më demokratike do të bëhet shoqëria jonë. Këtë mund ta arrijmë bashkë me ju dhe me RrGK-në.”

Ditën e dytë, anëtaret u mblodhën për të bashkëkrijuar Strategjinë e re të RrGK-së. Të ndara në grupe pune sipas fushave të ekspertizës, ato identifikuan çështje dhe prioritete kyçe, në mënyrë që të sigurojnë që puna e RrGK-së në vitet e ardhshme të reflektojë realitetet dhe nevojat e grave dhe vajzave nga komunitete, etnicitete, aftësi dhe zona të ndryshme gjeografike.
Ky proces nuk ishte thjesht hartim i një dokumenti. Ishte proces ndërtimi të pronësisë, forcimit të lidhjeve mes anëtareve dhe sigurimit që puna e RrGK-së të mbetet thellësisht e rrënjosur në zërat nga terreni. Strategjia që do të dalë nga ky proces do të formësojë rrugën e RrGK-së dhe do t`i amplifikojë zërat e grave në çdo cep të Kosovës e më gjerë.

Stafi i RrGK-së shpreh mirënjohjen për anëtaret që mundësuan këtë mbledhje dhe për mbështetjen e vazhdueshme dhe frymëzimin që ofron Bordi i RrGK-së. Siç reflektoi drejtoresha ekzekutive Rogova: “Një falënderim i veçantë shkon për secilën prej jush, anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës, që ende jeni ato që jeni, që keni qenë dhe vazhdoni të jeni, që jeni ende ato që luftojnë dhe … e shtyjnë përpara agjendën e barazisë gjinore në Kosovë.”
Ky takim i shumëpritur u mundësua me mbështetjen bujare të Fondit Sigrid Rausing Trust.