Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mbajti takimin e dytë të rregullt me Anëtaret më 16 shtator 2024 në Prishtinë, ku u përqendrua tek solidariteti dhe forcimi i zërit të grave në shoqëri.
Drejtorja Ekzekutive, Igballe Rogova, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes grave për të përballuar sfidat e shumta që has Kosova, rajoni e më gjerë. Ajo përmendi jo vetëm vështirësitë lokale, por edhe ato ndërkombëtare, duke iu referuar situatave në Palestinë dhe Ukrainë, si shembuj që theksojnë nevojën për solidaritet global mes grave.
“Është me rëndësi që ne jemi bashkë, bashkë jemi më të forta! Është një gjë që po e trazon botën ku ne luftojmë për barazinë gjinore… është lufta kundër barazisë gjinore. Edhe në Kosovë kanë filluar hapat e parë, por ne mund ta luftojmë vetëm nëse jemi bashkë dhe nëse jemi në solidaritet me njëra-tjetrën. Vetëm kështu e mbajmë frymën e aktivizmit”, tha mes tjerash Drejtorja Ekzekutive, Igballe Rogova.
Ajo theksoi se solidariteti ka qenë forca kryesore e RrGK-së që nga themelimi në vitin 2000, duke kujtuar se Rrjeti u krijua në frymën e bashkëpunimit që filloi që në vitet ’90.
Por duke marrë parasysh që shumë organizata janë regjistruar në RrGK vetëm për grante dhe jo për rrjetëzim, kemi vendosur të bëjmë një pauzë të pacaktuar të Fondit të Grave të Kosovës.
Rogova foli për rëndësinë që të gjitha anëtaret të marrin pjesë në takime, ku theksi vendoset gjithmonë te rrjetëzimi dhe te rëndësia e përbashkët në proceset vendimmarrëse.
Sipas rregullores së Kuvendit të Anëtarësisë, organizatat anëtare përjashtohen nëse mungojnë tri herë radhazi në mbledhjet e rregullta, veçanërisht në Kuvendin Vjetor të Anëtareve, që tani mbahet në pranverën e çdo viti. Prandaj, prezenca e anëtareve është e domosdoshme për të siguruar kuorumin e nevojshëm për votimin e proceseve të rëndësishme
Gjatë takimit, disa anëtare të Rrjetit falënderuan RrGK-në për mbështetjen e vazhdueshme dhe ndihmën e dhënë nëpërmjet granteve dhe projekteve të ndryshme. Ato vlerësuan kontributin e Rrjetit në fuqizimin e grave dhe mundësitë që ofron për zhvillimin e tyre profesional dhe organizativ.
Gjithashtu, anëtaret kanë ndarë informacione lidhur me aktivitetet e tyre si FemArt Festival nga Artpolis (25-30 shtator) dhe Art Without Limits International Film Festival (1-3 dhjetor në Kino Armata).
Rogova përmbylli takimin duke theksuar se sfidat e ndryshme, nga ndryshimet klimatike deri tek tensionet politike, nuk duhet të dobësojnë angazhimin e grave për drejtësi dhe barazi. Ajo theksoi se vetëm përmes bashkëpunimit dhe mbështetjes së ndërsjellë, gratë mund të përparojnë dhe të kenë ndikim të qëndrueshëm në shoqëri.
Ndërsa më 11 shtator, Bordi i RrGK-së, që është zgjedhur nga anëtaret e RrGK-së, u mblodh për takimin e dytë për këtë vit. Aty u aprovuan raportet narrative dhe financiare të gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Po ashtu, në takim u theksua nevoja për reagim në lidhje me masat e Bashkimit Evropian kundër Kosovës dhe ndikimin e tyre në jetën e grave. U propozua po ashtu përgatitja e një letre publike më të fuqishme se sa letra e mëparshme, e cila do të nënshkruhet nga shoqëria civile. RrGK, ka filluar gjithashtu një hulumtim të shkurtër për të vlerësuar ndikimin e masave e shoqëria civile dhe te gratë.