Anëtaret e RrGK mësojnë se si të shkruajnë dokumente efektive të politikave

 Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në bashkëpunim me organizatat e veta anëtare, rregullisht avokon për të ndryshuar politikat publike në nivel komunal dhe qendror për çështje me rëndësi për gratë, duke filluar nga trajtimi i dhunës në baza gjinore deri tek qasja në kujdesin shëndetësor. Megjithatë, për të ndikuar në politikat publike është thelbësore që ne të kemi dëshmi dhe argumente të forta në mbështetje të rekomandimeve tona në këto dokumente. 
      Andaj, me 21 shtator 2017, RrGK organizoi punëtorinë interaktive “Shkrimi i dokumenteve efektive të politikave”, që u mbajt në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë, me qëllim që t’iu ndihmonte organizatave anëtare të saj në rafinimin e shkrimit të dokumenteve  të politikave. 
            Në këtë punëtori, të pranishmet u informuan mbi strategjitë e shkrimit të dokumenteve të politikave; llojet e dokumenteve të politikave; se si të përzgjedhin llojin më të përshtatshëm të një dokumenti të tillë varësisht për fushën në të cilën avokojnë; për përmbajtjen që duhet të kenë këto dokumente të politikave; dhe metodologjitë që mund të përdoren në hartimin e tyre. 
            Në pjesën kur po diskutohej për zbatueshmërinë e dokumenteve të politikave, njëra ndër pjesëmarrëset në punëtori vuri në pah se si gjatë punës së tyre të përditshme në organizatë dhe në bashkëpunim me institucione të ndryshme, kanë vërejtur se “disa prej dokumenteve të politikave të hartuara në nivelin qendror të qeverisë, shpesh nuk janë aq funksionale dhe nuk mund të zbatohen me përpikshmëri në nivelin lokal, për shkak të mungesës së buxhetit për realizimin e këtyre politikave.” 
            Ndërkaq, një pjesë e punëtorisë përfshiu edhe informatat dhe diskutimin mbi analizën e problemit të politikave, ku u theksua se rol të rëndësishëm gjatë hartimit të dokumenteve të politikave duhet t’i kushtohet edhe analizës gjinore, asaj sociale dhe analizës së ambientit. Kjo nënkupton që gjatë këtij procesi duhet të kemi parasysh se si ndikojnë politikat tek gratë dhe burrat në mënyra të ndryshme; si do t’i mirren parasysh nevojat unike të grave dhe burrave në kuadër të projektit; cilat grupe sociale të ndryshme janë apo mund të jenë të ndikuar pozitivisht ose negativisht nga politikat që po krijojmë; si mund të ndikojnë politikat në ambient; dhe çfarë hapa mund të ndërmirren për të parandaluar çfarëdo degradimi të mundshëm të ambientit? 
            Për të mbështetur këto informata, njëra nga pjesëmarrëset në punëtori, përmendi një shembull se si do të mund t’i përfshinim pyetjet e mësipërme gjatë analizës së problemit, në një situatë nga jeta jonë e përditshme në nivel lokal. 
            “Unë mendoj që është shumë me rëndësi që të marrim pjesë në diksutimet publike komunale dhe të ngrisim këto çështje, me theks të veçantë çështjet që kanë të bëjnë me analizën gjinore. Për shembull, një situatë më se e mundshme të ndodhë do të ishte bllokimi i rrugëve nga bora gjatë stinës së dimrit. Gjatë analizës gjinore të këtij problemi, shembull konkret do të ishte nëse ne e diskutojmë në nivel lokal se cilat rrugë që përdoren më së shumti nga gratë gjatë kryerjes së obligimeve të tyre të përditshme dhe le të themi edhe gjatë dërgimit të fëmijëve në shkollë, do të duhej të ç’bllokoheshin së pari nga bora.” Më tutje ajo shtoi se poashtu gjatë këtyre diskutimeve publike komunale, “ashtu siç na sugjeroi RrGK, ne duhet të shtyejmë përpara ndarjen e buxhetit për çështjet me prioritet për ne, dhe duhet të kërkojmë të shohim dokumentet e buxhetit të cilat siç e dimë janë dokumente publike, në mënyrë që të monitorojmë se a po përfshihen vërtetë këto çështje edhe në planifikimin e buxhetit dhe a po mbahen premtimet e dhëna ndaj nesh.” 
 Kjo punëtori u mbështet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.