Anti-Militarizmi, mbështetje për OJQ-të e grave: Drejtoresha e RrGGK-së kontribuon në studimin botëror 15-vjeçar për 1325

Si anëtare e Grupit e Ekspertëve Këshillues të Nivelit të Lartë për Studimin e zbatimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KSKB) për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë” (2000), Drejtoresha Ekzekutive e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova ka dhënë disa kontribute në këtë studim të rëndësishëm, i cili ka informuar Rezolutën 2242 të KSKB-së.

I kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe i drejtuar nga Radhika Coomaraswamy, Studimi Botëror është kryer për të shënuar 15 vjetorin e Rezolutës 1325 të KSKB-së. Komiteti i Kombeve të Bashkuara për Gratë ka shërbyer si Sekretariat për Studimin, ndërsa një Grup i Ekspertëve Këshillues i Nivelit të Lartë, i cili është përbërë nga përfaqësues nga e gjithë bota, e ka mbështetur studimin dhe ka kontribuar në përmbajtjen e tij, duke u mbështetur në përvojat e tyre të pasura. Në këshillime të ngushta me aktivistët e të drejtave të grave dhe akterët e tjerë në gjithë rajonin, Rogova ka përfaqësuar Evropën Juglindore në Grupin Këshillues dhe në studim. Këshillimet ndërkombëtare për studimin kanë përfshirë të dhëna hyrëse nga më shumë sesa 60 vende anëtare; organizata ndërkombëtare, 47 organizata të shoqërisë civile, akademikë, dhe institute kërkimore, si dhe një sondazh të 317 organizatave të shoqërisë civile në 71 vende.
Përveç mbështetjes së organizimit të këshillimeve rajonale, Rogova ka bashkëpunuar me anëtarë të tjerë të Bordit Këshillues për të avokuar për adresimin e disa pikave kyçe në raportin përfundimtar të publikuar kohët e fundit: Preventing Conflict, Transforming Justice, Securing the Peace: A Global Study on the Implementation of United Nations Security Council resolution 1325 (2015) (Parandalimi i konflikteve, transformimi i drejtësisë, sigurimi i paqes: Studim botëror për zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara).
Mes çështjeve të theksuara nga Rogova dhe anëtarët e tjerë të Grupit Këshillues ka qenë nevoja për vëmendje ndaj militarizmit dhe ndikimit që kanë tek gratë financimi i armëve dhe luftërat. RrGGK-ja ka theksuar shpesh se financimi i armëve dhe shpenzimet ushtarake janë “elefanti në dhomë”: një faktor gjigant që minon sigurinë e grave, por për të cilin pak njerëz kanë vullnetin politik apo kurajën të flasin haptas.
Në fund, raporti e ka reflektuar fuqishëm rëndësinë që ka trajtimi i militarizmit, duke arritur në përfundimin se: “Gratë kanë folur njëzëri nga çdo kontinent për t’i përcjellë një mesazh kyç Këshillit të Sigurimit: Kombet e Bashkuara duhet të marrin rolin udhëheqës në ndalimin e procesit të militarizimit dhe militarizmit, i cili ka filluar në vitin 2001 në një cikël konflikti që sa vjen e rritet gjithmonë e më shumë. Duhet të ndalojë normalizimi i dhunës në nivelet lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare.”
Rogova, mes anëtarëve të tjerë të Grupit të Ekspertëve Këshillues ka theksuar edhe se studimi duhet të nënvizojë rëndësinë e mbështetjes së grupeve për të drejtat e grave, të cilët luajnë role vendimtare  për mbrojtjen e grave që janë prekur nga dhuna, për çuarjen më tej të sigurisë për gratë, për trajtimin e grave që kanë pësuar krime të dhunshme, për rritjen e sensibilizimit për dhunën me bazë gjinore brenda komuniteteve të ndryshme, për avokimin për drejtësi për personat e prekur nga lufta. Kështu, studimi arrin në përfundimin: “Mbështetja e ndërtueseve të paqes dhe respektimi i autonomisë së tyre përbën një mënyrë të rëndësishme për të kundërshtuar ekstremizmin” dhe “duhet të trajtohet dështimi i vazhdueshëm për t’i financuar në mënyrë të mjaftueshme gratë, paqen, dhe agjendën e sigurisë”
Evropa Juglindore dhe Kosova në veçanti përfaqësohen në raportin përfundimtar me referenca te Women in Black (Gratë në të Zeza), Lobi Rajonal i Grave për Paqe, Siguri dhe Drejtësi në Evropën Jug Lindore, hapat e ndërmarrë në drejtim të adresimit të dhunës seksuale dhe Policia e Kosovës, midis të tjerave. Edhe raporti i RrGGK-së 1325 Fakte & Fabula  është cituar mes burimeve që e kanë informuar këtë raport.
Si rezultat i këtij raport, në datën 13 tetor, Këshilli i Sigurimit njëzëri ka miratuar rezolutën 2242 (2015). Sipas një Deklarate nga Komiteti i Kombeve të Bashkuara për Gratë, kjo rezolutë e re “i konsideron gratë, paqen, dhe sigurinë si përbërës qendror të përpjekjeve tona për adresimin e sfidave të kontekstit aktual global, duke përfshirë ngritjen e ekstremizmit të dhunshëm, ndryshimet klimatike, dhe numrin e pashembullt të njerëzve të zhvendosur. Rezoluta i bën të qarta lidhjet thelbësore midis pjesëmarrjes së grave dhe paqes dhe sigurisë së qëndrueshme; si dhe ofron një mjet të ri të jashtëzakonshëm për të gjithë aktorët që ta zbatojnë më tej këtë agjendë dhe objektivat e Këshillit të Sigurimit”. Kjo është rezoluta e tetë e Këshillit të Sigurimit e cila fokusohet tek gratë, paqja dhe siguria.