Me perspektivë gjinore: Erkenda fillon praktikën e saj në RrGK

Erkenda Kabashi nga Skenderaj sapo ka filluar rrugëtimin e saj si praktikantja e re “Cathy Frischmann” në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK). Pas vetëm një jave në zyrë, ajo tashmë po zbulon se si ligjet dhe politikat mund të formësojnë barazinë gjinore në praktikë.

Erkenda studion në Rochester Institute of Technology (RIT), ku po ndjek studimet në menaxhim dhe ndërmarrësi, si dhe në politika publike dhe qeverisje. Krahas studimeve, Erkenda punon edhe si tutore e matematikës në RIT. Me një talent të natyrshëm për matematikë, ajo kënaqet duke ndihmuar studentët e tjerë të kuptojnë konceptet e vështira, të ndërtojnë vetëbesimin dhe të përmirësojnë notat e tyre.

Me politikat publike dhe qeverisjen si një nga drejtimet e saj, Erkenda tashmë kishte zhvilluar interes për integrimin gjinor dhe ishte kurioze të shihte se si zbatohet ai në praktikë. Kjo, e kombinuar me një vetëdijësim personal në rritje për pabarazitë e përditshme me të cilat gratë vazhdojnë të përballen, e motivoi atë të aplikojë për praktikën Cathy Frischmann.

“Përmes studimeve dhe përvojave të mia, u bëra gjithnjë e më e vetëdijshme për pabarazitë e përditshme me të cilat përballen gratë dhe për rolin e rëndësishëm që OJQ-të kanë në ndryshimet reale”, shpjegon ajo. Ky kuptim e motivoi atë të kontribuojë në punë, ku ndikimi është i dukshëm dhe konkret. Erkenda thotë se vendimi i saj për t’iu bashkuar RrGK-së vjen nga një ndjenjë e fortë qëllimi. “Dua që politikat jo vetëm të jenë të shkruara mirë, por edhe vërtet gjithëpërfshirëse dhe me ndikim për të gjithë”, shpjegon ajo.

Duke reflektuar mbi ditët e saj të para në zyrë, Erkenda thotë se u impresionua nga përmasa e punës dhe ndikimi i RrGK. “Është vërtet e mahnitshme sa ndikim kemi si një organizatë joqeveritare”, thotë ajo.

Deri më tani, pjesa më e madhe e punës së Erkendës është përqendruar në rishqyrtimin e ligjeve. Ajo ka rishikuar ligjet për të cilat RrGK kishte dhënë më parë komente, duke analizuar se sa nga kontributi i organizatës është përfshirë në legjislacionin përfundimtar. Kjo detyrë ka ndryshuar shpejt mënyrën se si ajo i qaset leximit të ligjeve dhe politikave.

“Kur fillova për herë të parë të lexoja ligjet, ato dukeshin në rregull, por kur pashë komentet e RrGK-së, e kuptova se nuk janë aq të barabarta sa duhet”, thotë ajo. “Kjo është vërtet diçka që kam mësuar deri tani nga kjo praktikë.”

Përmes kësaj pune, ajo ka filluar të kuptojë se edhe detajet më të vogla në aspektin ligjor mund të ndikojnë në atë se sa gjithëpërfshirëse është në të vërtetë një politikë. Komentet ligjore të RrGK, shpjegon ajo, shpesh theksojnë çështje që shumë njerëz do t’i anashkalonin. “Edhe pse janë detaje të vogla, ato bëjnë një ndryshim të madh” thotë ajo.

Erkenda e sheh si inkurajuese faktin që, shumicën e kohës, të paktën disa nga rekomandimet e RrGK-së pasqyrohen në ligjet përfundimtare, megjithëse ajo beson se ende mund të bëhet më shumë. “Shpenzon kaq shumë kohë duke punuar mbi ligjet për t’i bërë ato sa më gjithëpërfshirëse dhe të barabarta për të gjithë, prandaj më shumë nga ajo punë duhet të reflektohet në ligjet përfundimtare,” thotë ajo.

Në muajt në vijim, Erkenda do të përfshihet gjithashtu në projekte të tjera kërkimore, duke marrë pjesë në intervista dhe grupe fokusi. Një nga gjërat kryesore që ajo ka mësuar deri tani, thotë ajo, është rëndësia e të shprehurit dhe e ngritjes së zërit. Ajo është impresionuar gjithashtu nga kultura e punës brenda RrGK-së. “Mendoj se niveli i komunikimit dhe bashkëpunimit është unik në këtë organizatë”, thotë ajo.

Ndërsa mban një orar të ngarkuar me studimet, punën si tutore dhe tani edhe një praktikë, Erkenda ende gjen kohë për t’u çlodhur. Ajo e kalon kohën e lirë duke parë seriale turke dhe duke lexuar romane.

Duke parë drejt së ardhmes, Erkenda beson se përvoja në RrGK do t’i shërbejë si në karrierën e saj të ardhshme, ashtu edhe në rrugëtimin akademik. Puna e drejtpërdrejtë me politika dhe legjislacion tashmë i ka përmirësuar aftësitë e saj analitike dhe e ka ndihmuar të kuptojë më mirë lëndët që studion.

“Kur zgjodha politikën publike dhe qeverisjen, kisha një ide të përgjithshme se çfarë do të studioja, por kur e përjeton në praktikë, fiton një përvojë shumë më praktike,” thotë ajo.

Për këdo që po mendon të ndjekë një praktikë në RrGK, Erkenda ka një këshillë të thjeshtë: “Do t’i inkurajoja të gjithë që ta provojnë. Në fillim u ndjeva shumë e mbingarkuar nga sasia e madhe e informacionit, por me kalimin e kohës i merr gjërat hap pas hapi. Gjithashtu, ke kolegë shumë të mirë që janë gjithmonë aty për të të ndihmuar nëse ke nevojë.”

Përfshirja e Erkendës në RrGK u bë e mundur falë Praktikës Cathy Frischmann për Aktivistet e Reja për të Drejtat e Grave, e mbështetur nga Altrusa. Cathy Frischmann (1952–2023) ishte një aktiviste për të drejtat e grave, feministe, mbrojtëse e të drejtave të njeriut, nxitëse e përfshirjes së grave në politikë, botaniste që mbronte bimët vendase, dhe shumë më tepër… Cathy e donte jetën, prandaj ia kushtoi atë mbrojtjes së të drejtave dhe jetës së të tjerëve. Ajo punoi pa u lodhur për ta bërë botën një vend më të mirë. Dashuria e Cathy-t për Kosovën filloi në vitin 2004, kur ajo u takua me organizatat anëtare të RrGK-së. E frymëzuar nga puna e anëtareve të RrGK-së, ajo bashkëpunoi me Altrusa – Dega në Corvallis për të mbledhur fonde për një bursë vjetore që mbështet angazhimin e aktivisteve të reja në RrGK. Edhe pse Cathy ndërroi jetë nga kanceri në vitin 2023, Altrusa, miqtë dhe familja e saj kanë vazhduar të mbështesin një praktikë në emrin e saj. Në nder të Cathy-t, RrGK me krenari mirëpret çdo vit të paktën një praktikante të re, duke vazhduar të angazhojë dhe të frymëzojë gjenerata të reja aktivistesh për të drejtat e grave.

Nëse dëshironi edhe ju të kontribuoni në punën e RrGK-së, ne gjithmonë kemi nevojë dhe mirëpresim vullnetarë nga prejardhje, nivele përvoje dhe vende të ndryshme. Klikoni këtu për të mësuar më shumë rreth Programit tonë të Vullnetarizmit.