Rrjeti i Mbikëqyrësve të Buxheteve Gjinore (RrMBGj) është një rrjet rajonal i cili synon të avancojë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor në vendet e Ballkanit Perëndimorë dhe Republikën e Moldavisë, drejt një përdorimi më efikas, transparent dhe të drejtë të burimeve nga të cilat përfitojnë gra dhe burra të ndryshëm.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) është një nga organizatat themeluese dhe partnere të RrMBGj, që nga viti 2019. Për më tepër, disa organizata anëtare të RrGK janë gjithashtu anëtare si dhe përfituese të granteve të RrMBGj-së. Që nga viti 2019, RrMBGj është rritur shumë dhe tani ka më shumë se 70 anëtare në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe Republikën e Moldavisë.
Këtë vit, RrMBGj ka votuar dhe miratuar zyrtarisht statutin e rrjetit dhe kodin e sjelljes, duke shënuar një hap drejt zhvillimit të plotë të rrjetit. Në qershor, Kuvendi i parë i Anëtarëve të RrMBGj u organizua në Ohër, Maqedoni të Veriut, ku morën pjesë përfaqësues nga secili vend dhe ndanë përvojën e tyre brenda rrjetit rajonal. Nga ky takim, RrMBGj tani ka një Bord Ekzekutiv operativ të përbërë nga Marija Risteska, Mirela Arqimandriti, Višnja Baqanović dhe Nicole Farnsworth (me mandat 4 vjeçar) dhe Slavica Strikovic, Mersiha Jaskić dhe Ludmila Ciocan (me mandate 2 vjecar). Kuvendi i Anëtarëve gjithashtu votoi unanimisht për Komisionin Mbikëqyrës të RrMBGj gjatë këtij takimi.
Përveç diskutimit për të ardhmen e Rrjetit, ky takim shërbeu si një iniciativë e frytshme për ndërtimin e ekipit. RrGK pati mundësinë të takojë anëtaret dhe përfitueset e granteve të RrMBGj-së nga rajoni dhe të ndajë përvojat me ta, gjë që ndihmon në forcimin e ekipit të RrMBGj-së. Për më tepër, struktura e RrMBGj-së u vu menjëherë në punë duke organizuar konferencën ndërkombëtare “Roli i shoqërisë civile në buxhetimin (e përgjegjshëm gjinor): pjesëmarrja, avokimi dhe llogaridhënia” e cila mblodhi në një vend shumë akterë duke përfshirë zyrtarë qeveritarë, ekspertë të menaxhimit të financave publike, aktivistë dhe aktiviste për të drejtat e grave, dhe organizata ndërkombëtare dhe vendore të shoqërisë civile.
Kujtojmë se këtë vit RrMBGj gjithashtu është mbledhur në muajin maj në Durrës, Shqipëri, si dhe ka marrë pjesë edhe në vizitën e tretë studimore gjatë muajit prill. Këtë herë përfaqësuesit e RrMBGj-së udhëtuan në Dublin, Irlandë, për t’u takuar dhe shkëmbyer praktikat e BPGj-së me përfaqësues të qeverisë irlandeze, anëtarë të Parlamentit irlandez, si dhe me organizata të shoqërisë civile.
Vështrimet e buxhetimit me indikatorë të performancës të fituara në Irlandë do të integrohen në avokimin e vazhdueshëm të RrGK drejt institucionalizimit të BPGJ-së në Kosovë. Ky rrjet rajonal financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim (Sida).