Me 6 dhjetor në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u mbajt paneli “Ngacmimet Seksuale në Universitetin e Prishtinës” organizuar nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis. Panelin të cilin e moderoi aktivistja për të drejtat e grave Fjolla Vukshinaj, përbëhej nga Ariana Qosaj Mustafa kryetare e bordit të Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Adelina Berisha nga RrGK dhe Nita Luci profesoreshë në UP “Hasan Prishtina”.
Të pranishmit në këtë diskutim patën rastin të dëgjojnë për së afërmi punën që grupi punues i Universitetit të Prishtinës po bënë në lidhje me krijimin e mekanizmave për adresim të ngacmimeve seksuale. Nita Luci sqaroi në detaje planin e veprimit të draftuar nga ky grup punues, ku njëkohësisht ajo u bëri thirrje studentëve të japin kontributin e tyre në këtë plan veprimi. Poashtu, Ariana Qosaj Mustafa foli në detaje për përmbajtjen e Rregullores për Raportim të Ngacmimeve Seksuale, e cila është draftuar si pjesë e grupit punues. Ndërsa, Adelina Berisha njoftoi të pranishmit mbi gjetjet e hulumtimit të RrGK-së “Ngacmimi Seksual në Kosovë”, duke u fokusuar në situatën e ngacmimeve seksuale në shkollat dhe universitetet e Kosovës.
Audienca e përbërë nga studentët e UP-së si dhe të universiteteve tjera private, theksuan rëndësinë mbi krijimin e mekanizmave për adresim të ngacmimeve seksuale, dhe poashtu shfaqën interes që edhe ata të kontribuojnë në adresim të kësaj dukurie.