Artpolis solli me sukses edicionin e 5-të të Festivalit FemArt

     Nën tingujt e ëmbël të zërit të Farah Siraj-it, këngëtares jordaneze të zhanrit xhaz spiritual me motive flamengo dhe arabe, Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, përmbylli edicionin e 5të të Festivalit FemArt. FemArt, festivali i artisteve dhe aktivisteve këtë vit u mbajt nga data 25 – 31 maj, me moton "E Patrembur” (“Fearless”).
     Përkundër sfidave gjatë realizimit, në edicionin e 5të të FemArt defiluan artiste nga vende të ndryshme të rajonit e botës, duke na sjellë për së afërmi punën e tyre kreative përmes: shfaqjeve teatrale, filmave, atyre dokumentar, të shkurtër dhe të metrazhit të gjatë, ekspozitave, performancave, koncerteve, ligjëratave, punëtorive, paneleve dhe prezantimeve të ndryshme në formë të artit.
     Drejtoresha artistike e Festivalit, Zana Hoxha Krasniqi, njëherit edhe drejtoreshë ekzekutive e Artpolis, ka theksuar që bashkë me stafin janë kujdesur që programi të ketë laramani aktivitetesh në mënyrë që publiku të gjejë vetën gjatë këtij edicioni, duke u shprehur që “jemi munduar të organizojmë një javë të mbushur me art, aktivizëm dhe miqësi”.
     Festivali FemArt, njëkohësisht festivali feminist më i madhi në Ballkan, është një platformë për fillimin dhe paraqitjen e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë duke u angazhuar për të drejtat e barabarta të grave si dhe për të shërbyer si urë lidhëse për ndërtimin e paqes dhe dialogut në rajon.
     Këtë vit festivali shënoi mbi 40 aktivitete në Prishtinë dhe në Mitrovicën Veriore. Për informata më të detajuara rreth pjesëmarrëseve dhe programit mund të klikoni në faqen e internetit: www.femart-ks.com, ose në faqen e FemArt në Facebook: https://www.facebook.com/FemartPrishtina/.
     Ky edicion i FemArt-it u mbështet nga donatorë, sponzorë medial dhe partnerë institucional të ndryshëm.