Gjatë retreat-it të RrGGK në Durrës, organizatat anëtare patën mundësinë të mësojnë për avokimin nëpërmjet artit të angazhuar. Trajnimi filloi në mënyrë kreative duke bërë një meditim të thellë. Anëtaret qëndruan me sy të mbyllur, duke mbajtur për dore njëra tjetrën dhe duke zbuluar pjesë të vetes për të cilat nuk kanë qenë të vetëdijshme më herët.
“Jam ndi mirë, por e kam pasur problem t’i mbajë sytë e mbyllur,” tha Drita Çitaku nga organizata Down Syndrom Kosova.
Trajnerja Zana Hoxha – Krasniqi, njëherit edhe drejtore e organizatës Artpolis shtoi se “Kjo ndodh për shkak se ne nuk i dorëzohemi vetes si gra (qenie individuale), por më shumë si vajza dhe gra të cilat i dorëzohen familjes, punës dhe parimeve të cilat i ka vendosur shoqëria. Duhet të mësohemi si të komunikojmë me veten.”
Sesioni vazhdoi me prezantimin e Artpolis si organizatë dhe punën që stafi i tyre ka bërë prej vitit 2004, kur edhe është themeluar. Gjatë prezantimit të aktiviteteve u përmend edhe festivali Femme Fatale si festivali i parë feminist që është organizuar në rajon. Njëra nga pjesëmarrëset shprehu interesimin e saj për të marrë pjesë vitin tjetër në këtë festival si performuese.
“Gjithmonë kam pasur dëshirë të aktroj. Kur kam qenë e vogël kam luajtur një rol në një dramë, andaj do të kisha dëshirë ta provoj përsëri,” tha ajo.
Pas kësaj, anëtaret u ndanë në grupe, ku secili grup zgjodhi një problem shoqëror për të cilin do të avokonin nëpërmjejt artit. Ato zgjodhën mënyra të ndryshme të artit për t’i shfaqur këto probleme para publikut. Grupi i parë vendosi të avokojë për çështjen e ngacmimit seksual në punë nëpërmjet skeçeve. Grupi i dytë vendosi të ngrisë problemin e varfërisë përmes një ekspozite të artit dhe menduan që ta realizojnë këtë me 1 qershor, në Ditën e Fëmijëve. Ndërsa grupi i tretë zgjodhi të avokojë për çështjen e dhunës ndaj grave përmes organizimit të një proteste dhe përgaditjes së pankartave.
Si përfundim, anëtaret patën mundësinë të ndajnë përshtypjet e tyre lidhur me këtë trajnim.
"Avokimi përmes artit është mënyra më e mirë për të kuptuar punën tonë si aktiviste. Duke qenë pjesë e këtij trajnimi unë kuptova se të gjitha ne mund të japim kontributin tonë përmes artit. Mendoj se perfomrancat e juaja janë shumë të vlefshme dhe të rëndësishme prandaj edhe duhet të punohet me këtë princip,” tha Zuhra Kani, nga organizata MWAHR.