Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Aureola në periudhën shtator 2021- shkurt 2022 ka përmbyllur me sukses projektin “Rritja e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje” falë përkrahjes së marrë nga rundi i 15-të i Fondit të Grave të Kosovës.
Gjatë kësaj periudhe kjo organizatë ka trajnuar gra e burra për të kuptuar rëndësinë e votës dhe daljes në publik.
Përfitues të drejtpërdrejt kanë qenë 179 persona, kryesisht gra kandidate për zgjedhjet lokale, kryetare komunash si dhe gra për kuvende komunale në komunat: Obiliq, Fushë Kosovë, Podujevë, Drenas, Lipjan dhe Prishtinë.
Gjithashtu janë identifikuar nevojat dhe kërkesat e kandidateve për kryetare të komunave si dhe kandidateve për asamble komunale të cilat do të ndikojnë në fuqizimin politik të tyre.
Drejtorja Ekzekutive e organizatës Aureola, Sanije Grajçevci, është shprehur e kënaqur gjatë gjithë procesit të zbatimit të projektit si dhe ka falenderuar RrGK-në për përkrahjen.
“Jemi të lumtura që kemi pasur mundësinë t’i trajnojmë gratë në këtë temë shumë të rëndësishme. Falënderojmë Rrjetin e Grave të Kosovës që mundësoi këtë projekt, dhe komunën e Podujevës që po jep hapësirë për mbështetjen e grave”, tha ajo.
Ndërkohë 92 grave dhe vajzave, kandidate për kryetare komune dhe kandidate për këshilltare në Kuvende Komunale, iu është mundësuar përgatitja më e mirë përmes trajnimit për të folurit në publik, që ato të jenë më të sigurta dhe të mos hezitojnë për të folur dhe prezantuar në publik.
Si e arritur e kësaj organizate është vlerësuar komunikimi dhe shkëmbimi i informatave dhe nevojave midis grave dhe vajzave kandidate për asamble komunale dhe 3 kandidateve për kryetare komune, duke rritur kështu mbështetjen për gratë në vendimmarrje dhe duke i informuar gratë dhe vajzat votuese për rëndësinë e monitorimit dhe llogaridhënies.
Ky projekt është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes nismës së RrGK-së ”Rritja e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje.”