Zakonet e ndarjes së trashëgimisë në Kosovë janë favorizuese ndaj burrave, kurse diskriminuese ndaj grave. Veçanërisht të diskriminuara janë gratë të cilat varen ekonomikisht nga të afërmit e tyre burra, kjo sepse ato shpesh herë përballen me presion familjar që të heqin dorë nga trashëgimia.
Sipas Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), që nga viti 2017 vetëm 17% e grave kanë prona të regjistruara në emrin e tyre. Kurse, vetëm afro 5% e grave kanë trashëguar pronë.
Këto shifra të ulëta, në jetën e grave përkthehen me probleme ekonomike e shoqërore, në martesa të dhunshme e mungesë të pavarësisë ekonomike.
Për të krijuar terren më të favorshëm që gratë të gëzojnë të drejtën për trashëgimi, Organizata “Aureola” falë mbështetjes së marrë në raundin e 12-të nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) ka realizuar nismën “Avancimi i ligjit të trashëgimisë”.
49 persona (41 gra dhe 8 burra) kanë përfituar drejtpërdrejt nga kjo nismë, kurse numri i përfituesve indirekt (rritje e vetëdijësimit dhe ndarje e informatave) ka qenë dukshëm i madh, duke marrë parasysh se realizimi i saj u shoqërua me disa paraqitje televizive.
Sanije Grajçevci, Drejtore e “Aureolës” flet për të mirat e marra nga ky projekt me karakter nacional, i cili është i pari i këtij lloji për këtë organizatë.
“Kemi krijuar kontakte të reja dhe kemi zgjeruar rrjetin e bashkëpunëtorëve në institucione si dhe në shoqëri civile. Sado që kemi përvojë bukur të madhe të punës në këtë drejtim, gjatë realizimit të këtij projekti kemi mësuar dhe kemi fituar përvojë të re nga informatat e ofruara nga stafi i Fondit”, ka thënë ajo.
Lidhur me temën, Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova, gjatë një tryeze diskutimi që “Aureola” mbajti në muajin shkurt u shpreh se problemi nuk qëndron te ligjet, por te mungesa e zbatimit të tyre.
“Më herët e drejta në pronë ka qenë tabu, ndërsa tani kemi disa lëvizje pozitive sa i përket kësaj çështjeje. Rrjeti ka bërë një fushatë në 5 komuna, kemi shkuar derë më derë edhe i kemi pyetur gratë a kanë nevojë për ta regjistruar pronën, me ç’rast u kemi ofruar ndihmë për t’u mbuluar shpenzimet administrative”, ka thënë Rogova.
Për ndikimet pozitive të këtij projekti ka folur edhe një noter gjatë një aktiviteti të organizuar në kuadër të kësaj nisme.
“Duke ju dëgjuar juve dhe duke analizuar më thellë këtë çështje që ju e keni ngritur, mora iniciativën për të hulumtuar sjelljet dhe qëndrimet e anëtarëve të familjes sime për çështjen e trashëgimisë. Si rezultat, kuptova se edhe unë kisha pasur nevojë që të punoja më shumë në familjen time. Unë si prind e kam për detyrë që fëmijët t’i trajtoj në mënyrë të barabartë”, tha ai.
Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës, Grupi i Grave Deputete, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Agjencia për Barazi Gjinore (ABGj), Agjencia për Ndihmë Juridike Falas (ANJF), Oda e Noterëve të Kosovës, Qendra për Punë dhe Mirëqenie Sociale-Obiliq, Lobi për Barazi Gjinore (LBGj), dhe Koalicioni për Barazi (KB), përbëjnë listën e gjatë të institucioneve dhe formacioneve të shoqërisë civile me të cilat “Aureola” është konsultuar dhe ka zhvilluar takime, para se të dalë me këtë propozim:
- Të bëhet ndryshimi i Ligjit nr. 2004/26 mbi Trashëgiminë, përkatësisht të fshihet në tërësi kapitulli II, neni 130 mbi heqjen dorë nga trashëgimia. Të fshihen rrjedhimisht nenet derivuese (Neni 131, Neni 132, Neni 133, Neni 134, Neni 135, Neni 136, Neni 137) në Ligjin mbi Trashëgiminë dhe ndryshimet e njejta të përcillen edhe në Ligjin për procedurën jo kontestimore, sa i përket neneve që trajtojnë heqjen dorë nga trashëgimia (Neni 164).
Një ndryshim i tillë i këtij ligji është tejet i nevojshëm për interesin publik dhe siguron që të drejtat e grave në trashëgimi të realizohen denjësisht.
Kërkesa për ndryshimin e Ligjit mbi Trashëgiminë i është dërguar Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Grupit të grave deputete si dhe Deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Fuqizimi ekonomik i grave është shumë i rëndësishëm për arritjen e një shoqërie ku gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta në arsimim, punësim, pjesëmarrje në politikë, shëndetësi, dhe bëjnë një jetë pa dhunë. Andaj edhe aktivitetet e ndërmarra në kuadër të kësaj nisme për avancimin e ligjit të trashëgimisë kanë ndihmuar dukshëm drejt përmirësimit të pozitës ekonomike të gruas kosovare.