Trashëgimia në Kosovë është një çështje mjaft e ndjeshme për shkak të traditave dhe kulturës në vend. Zakonet e ndarjes së trashëgimisë në Kosovë janë favorizuese ndaj burrave, kurse diskriminuese ndaj grave.
Shoqata e Grave “Aureola” mbajti debate mbi avancimin e ligjit për trashëgimi me qëllim të garantimit të sigurisë ekonomike nga trashëgimia familjare për trashëgimtaret gra. Në këtë debat morrën pjesë 18 gra dhe vajza të moshave dhe profesioneve të ndryshme nga disa komuna të Kosovës.
Falë mbështetjes së marrë në raundin e 12-të nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK), “Aureola” ka realizuar nismën “Avancimi i ligjit të trashëgimisë” duke pasë një sukses të madh në rritjen e vetëdijesimit dhe ndarjes së informatave.
Pas realizimit të një nisme të suksesshme, “Aureola” mori mbështetje edhe nga raundi i 14-të I FGK-së, me qëllim të vazhdimit të kësaj nisme që ka për qëllim inicimin e debatit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trashëgimi në Kuvendin e Kosovës dhe nxjerrjen e rekomandimeve për plotesimin e dispozitave ligjore si hapa të parë drejtë realizimit të qëllimit kryesor.
Sanije Grajçevci, Drejtore e “Aureolës” flet për të mirat e marra nga ky projekt me karakter nacional, i cili është i pari i këtij lloji për këtë organizatë.
“Kemi krijuar kontakte të reja dhe kemi zgjeruar rrjetin e bashkëpunëtorëve në institucione si dhe në shoqëri civile. Sado që kemi përvojë bukur të madhe të punës në këtë drejtim, gjatë realizimit të këtij projekti kemi mësuar dhe kemi fituar përvojë të re nga informatat e ofruara nga stafi i Fondit”, ka thënë ajo.
Zbatimi i kësaj nisme ka ndikuar në sensibilizimin e akterëve relevant si dhe arritjen e përkrahjes së institucioneve për inicimin e procedurave për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për trashëgimi.
Fuqizimi ekonomik i grave është shumë i rëndësishëm për arritjen e një shoqërie ku gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta në arsimim, punësim, pjesëmarrje në politikë, shëndetësi, dhe bëjnë një jetë pa dhunë. Andaj edhe aktivitetet e ndërmarra në kuadër të kësaj nisme për avancimin e ligjit të trashëgimisë kanë ndihmuar dukshëm drejt përmirësimit të pozitës ekonomike të gruas kosovare.
Kjo nismë financohet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancohet nga UN Women.
Lexo më shumë lidhur me këtë nismë:
“Aureola” avokon në nivel qendror për ndryshime në Ligjin e Trashëgimisë