Sot, më 10 dhjetor 2019, Institucioni i Avokatit të Popullit, publikoi për qytetarët udhërrëfyesin elektronik “Platforma për të drejtat e njeriut”, në Biblotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Prishtinë.
Platforma ka për qëllim promovimin e zbatimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, siç garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si dhe me ligjet e zbatueshme në Kosovë.
Kjo platformë do të shërbejë për të siguruar qasje më të lehtë dhe praktike në juridiksionin vendor dhe atë ndërkombëtar. Platforma ofron dy udhëzues duke bërë lidhje të strukturuar në mes instrumenteve juridike dhe gjyqësore për të drejtat e njeriut dhe 17 Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm.
“Platforma është një mjet pune që të jep një pasqyrë të konventave, ligjeve, dhe rekomandimeve të Avokatit të Popullit, vetëm me një klikim. Platforma është e qasshme për të gjithë ne, pa pagesë, edhe shpresoj qe do jetë edhe një mjet ndihmës për të gjithë qytetarët e Kosovës” , tha Hilmi Jashari, Avokat i Popullit.
Marta Gazideda, Përfaqësuese e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ndër të tjera tha: “Platforma që po e lansojmë sot ka për qëllim promovimin efektiv të të drejtave themelore të njeriut në Kosovë. Gjithashtu platforma do të përfshijë edhe trajnime për palët e interesit”.
Platforma për të Drejtat e Njeriut është projektuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit dhe është zhvilluar në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) me mbështetje financiare të Ministrisë Norvegjeze të Punëve të Jashtme.
Vizitoni platformën KЁTU