Iniciativa për Fuqizimin e Vajzave (IFV) përkrahë vajzat në zhvillimin e aftësive të tyre dhe që të marrin përsipër udhëheqjen e çështjeve që i brengosin ato. Iniciativa angazhon vajza nga e gjithë Kosova që të bëhen katalizatorë të ndryshimit dhe të mobilizojnë edhe moshatarët e tyre që të bëjnë të njëjten gjë.
Në Gjakovë, me 24 Shtator vajzat ndanë sfidat me të cilat ato përballen: betejën lidhur me burimet e kufizuara, mungesën e vendeve të punës dhe diskriminimin sistematik që iu bëhet thjeshtë vetëm pse janë vajza.
“Si vajza ne kemi opsione të limituara për tu shprehur pa u gjykuar nga të tjerët,” tha një vajzë nga Gjakova.
Për të adresuar këto sfida, vajzat nga Gjakova po zhvillojnë mënyra inovative dhe efektive për të përmirësuar jetërat e tyre.
“Ne mund të fuqizojmë njëra-tjetrën përmes aksioneve në rrugë dhe artit,” tha njëra nga vajzat. “Ne do të bashkojmë gra e vajza që të shprehin talentet e tyre.”
IFV gjatë muajit Tetor poashtu mbajti takime edhe në Prishtinë dhe Mitrovicë. Ato krijuan plane të veprimit për të adresuar çështjet me të cilat ato ballafaqohen. Vajzat nga Prishtina vendosën që të përgatisin një shfaqje teatrale, për të ngritur vetëdijen për rëndësinë e edukimit për vajzat. Ato poashtu planifikojnë të organizojnë një ecje paqësore në Sheshin Nëna Terezë.
Në Mitrovicë, vajzat planifikojnë të mbajnë takime me vajzat nëpër shkolla fillore dhe të mesme, për të ngritur vetëdijen e tyre lidhur me rëndësinë e edukimit. Duke u takuar direkt me to, vajzat besojnë që do të kenë ndikim të madh.
“Përveç që kemi kaluar shumë mirë, ne poashtu kemi mësuar shumë gjëra të reja,” tha një vajzë aktiviste. “Takimet e këtij lloji janë shumë të nevojshme për ne.”
Këtë vit, Iniciativa për Fuqizimin e Vajzave ka përfshirë 146 vajza nga e gjithë Kosova. Me përkrahjen e RrGGK, ato planifikojnë që gjatë vitit 2014 të implementojnë planet e tyre të veprimit. RrGGK dëshiron të fuqizojë më shumë vajza që të përfshihen në organizim dhe avokim për të drejtat e grave, duke forcuar në këtë mënyrë lëvizjen e grave në Kosovë. Iniciativa përkrahet nga Kvinna till Kvinna.