Në pranverë të vitit 2014, Shoqata Iniciativa e Grave, anëtare e RrGGK-së, mblodhi gra nga fshatra të ndryshme në komunën rurale, malore të Dragashit në jugun e Kosovës. Gratë, shumë prej tyre nën moshën 30 vjeçare, shfaqën interes në mësimin e teknikave profesionale të rrobaqepsisë. Ato ishin aq të etura për të mësuar, sa që kur përfundoi kursi i tyre, ato udhëtuan me Shoqatën Iniciativa e Grave për në qytetin e komunës, me qëllim që të avokojnë tek Kryetari i Komunës që ai të vazhdojë t’iu mundësojë atyre kurse të rrobaqepsisë. Por kjo nuk është e gjitha. Ato poashtu kërkuan ndihmën e Kryetarit të Komunës që të inkurajojë pronarët e fabrikës së re të tekstilit në Dragash që t’i punësojë ato. Për shumicën e grave, kjo ishte hera e parë që ato kishin vizituar qytetin e komunës së tyre, e lëre më që të avokojnë tek Kryetari i Komunës. Përpjekjet e tyre u përkrahën nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i RrGGK-së.
Një javë më parë, në Dragash u hap fabrika e re e tekstilit. Shoqata Iniciativa e Grave ishte e lumtur të raportojë se kjo fabrikë ka punësuar 24 gra, duke përfshirë edhe tetë gra që disa muaj më parë kishin zhvilluar aftësitë e tyre të rrobaqepësisë përmes kurseve të Shoqatës
“Kur i organizuam kurset tona të rrobaqepësisë përmes projektit ‘Një mundësi e re drejt avancimit të punësimit,’ ne ishim të përkushtuara të arrinim punësimin e grave nëpër fabrika,” tha Xhejrane Lokaj, Drejtoreshë Ekzekutive e Shoqatës Iniciativa e Grave. Pak gra ishin të punësuara në komunën e Dragashit dhe Shoqata dëshironte ta ndyshonte këtë gjë. “Jam shumë e lumtur që kjo gjë ka filluar të jap rezultate,” tha ajo.
Ndërkohë, Vahidin Emini, pronar i fabrikës, theksoi se “Të gjitha gratë që kanë ndjekur kurset dhe kanë aplikuar për punë, bazuar në aftësitë e tyre, janë punësuar në fabrikë.”
Edhe pse fabrika veçsa është hapur dhe gratë ende nuk kanë marrë rrogën e tyre të parë, ato tashmë ndihen të fuqizuara ekonomikisht.
“Unë kam marrë pjesë në kurset e rrobaqepësisë për gjashtë muaj, si dhe në disa kurse të tjera të punëdores dhe gjithmonë kam shpresuar se një ditë kjo fabrikë do të hapet,”tha Nahije Bajrami, njëra nga gratë e trajnuara nga Shoqata Iniciativa e Grave e cila është punësuar në fabrikë. “Ndihem shumë më mirë tani, me më shumë vetbesim dhe shpresë për të ardhmen.”
“Fakti që kjo fabrikë ka punësuar 24 gra në këtë rajon është një arsye e fortë për ne që t’i vizitojmë, të shfaqim përkrahjen tonë dhe t’iu dëshirojmë atyre sukses,” tha një anëtare e GAG.
Fabrika i inspiroi gratë nga komunat tjera që të avokojnë për vende të ngjashme pune për gratë në rajonet e tyre.