BE përkrahë RrGGK-në për herë të parë

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) ka kënaqësinë të bëjë zyrtarisht publike që me 12 nëntor, për herë të parë, ka nënshkruar kontratë me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Iniciativa për “Fuqizimin e organizatave të shoqërisë civile të udhëhequra nga gratë në Kosovë” do të filloj me 1 janar 2015 dhe do të vazhdoj deri me 31 dhjetor 2016. Qëllimi i projektit është të përmirësojë kapacitetet e organizatave të shoqërisë civile (OSHC); të rrisë pjesëmarrjen; dhe të përmirësoj cilësinë e kontributit në proceset vendimmarrëse dhe hartimin e politikave në nivel lokal.

Nëpërmjet kësaj iniciative, RrGGK do të arrijë rezultatet e mëposhtme:

1. Organizatat anëtare të RrGGK-së do të jenë më të aftësuara të planifikojnë, të ngrisin fonde, dhe të ndërmarrin iniciativa efektive avokuese në nivel lokal
2. Organizatat anëtare të RrGGK-së do të përfshijnë më shumë gra në procese vendimmarrëse, veçanërisht në vendet rurale dhe nga grupet minoritete dhe të margjinalizuara

RrGGK do të arrijë këto qëllime përmes punëtorive interaktive dhe mentorimit individual për organizatat e saj anëtare; takimeve dymujore; duke ndarë në mënyrë transparente së paku 25 grante tek OSHC-të e udhëhequra nga gratë në shumë totale prej 100,000€; rrjetëzimit; ngritjes së vetëdijes; dhe avokimit.

Përkrahja e BE-së do të luajë rol kyç në zbatimin e Strategjisë së re të RrGGK 2015-2018.