Bord Aktiv = Organizata të suksesshme

Pse janë Bordet të mira? A janë vetëm për t’i bërë organizatat të tingëllojnë më të sofistikuar dhe profesionale? Sipas punëtorisë së dytë të mbajtur nga RrGGK në Prizren me 4 shtator, bordet aktive janë pjesë shumë e rendësishme dhe thelbësore e çdo organizate.
Punëtoria i‘u dedikua “krijimit të një bordi aktiv” brenda organizatës. Mbi këtë temë, fillimisht, Delina Fico, Drejtore e Programit për Shoqëri Civile në East West Management Institute (EWMI) dhe anëtare e Bordit Këshillues në RrGGK, shpjegoi për pjesëmarrëset rolet kryesore të bordit, duke përfshirë rolin që luan bordi për tu siguruar që puna e organizatës kryhet mirë; për të përcaktuar arsyen për të cilën egziston organizata; për të siguruar që organizata ka resurset e duhura për ta kryer punën dhe që resurset e organizatës menaxhohen në mënyrë të përgjegjshme.
    Më pas, ajo foli edhe për krijimin e një bordi ideal për një organizatë; motivet që kanë anëtarët potencial të bordeve për tu bërë pjesë e një bordi; se si të sigurohemi që kemi diversitet brenda bordit e që anëtarët e bordit të jenë të angazhuar për kryerjen e funksionit të tyre; si dhe ndarjen e bordeve në: a. vendim-marrëse dhe b. këshilluese.
    “Gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të bordit duhet të sigurohemi që brenda bordit të organizatës tonë të kemi diversitet,” tha Delina Fico. “Bordi mishëron dhe garanton besimin që publiku ka tek organizata.”
   “Unë jam anëtare e Bordit të një organizate austriake dhe aty e shoh se si është të kesh një Bord funskional dhe aktiv,” u shpreh Drita Vukshinaj, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës Femra për Femrat me Aftësi të Kufizuara. “Poashtu e di që shumica e organizatave tona nuk e kemi bordin aktiv; ne duhet të punojmë më shumë në këtë drejtim dhe e kemi shumë të lehtë të marrim si shembull pozitiv funksionalitetin e Bordit të RrGGK e të ndjekim hapat e saj në këtë drejtim.”
     Pas këtij prezantimi, pjesëmarrëset në punëtori zhvilluan punë në grupe mbi temën “Krijimi i një bordi ideal për organizatën” e më pas ato prezantuan punën e tyre tek pjesëmarrëset tjera dhe diskutuan së bashku idetë e tyre.   
    “Si duket RrGGK na njeh më mirë neve si organizata, se sa ne që e njohim veten dhe vet fakti që RrGGK e organizoi këtë punëtori e tregon këtë gjë, pasi që na tregon që kërkesat tona për ngritje të kapaciteteve janë dëgjuar dhe nevojat tona për përmirësime aty ku kemi ngecje janë identifikuar nga RrGGK,” u shpreh Xhejrane Lokaj nga Shoqata Iniciativa e Grave
    Kjo punëtori u mbështet nga Kvinna till Kvinna dhe East West Management Institute.