Bordi i RrGK-së mbajti mbledhjen e fundit për vitin 2023

Bordi Ekzekutiv i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) bashkë me ekipin e menaxhmentit të RrGK-së, përmbyllën vitin me mbledhjen e fundit për vitin 2023. Kjo ishte mbledhja e tretë me radhë, që u mbajt me 17 nëntor online.

Gjatë mbledhjes, Bordit iu prezantua raporti narrativ drejt zbatimit të programeve të Strategjisë së RrGK për vitin 2023-2026 dhe raporti financiar, të cilat u aprovuan unanimisht. Tutje, u diskutuan çështje të ndryshme të rëndësishme, lidhur me sfidat dhe arritjet përmes aktiviteteve, avokimeve, takimeve të ndryshme, si dhe lidhur me ngritjen e fondeve për të ardhmen. Meqë Kuvendi Vjetor i Anëtareve, që zakonisht mbahet në muajin dhjetor do të shtyhet për muajt e parë të vitit 2024, për shkak të ndryshimeve në Statutin e RrGK-së dhe në përputhje me Ligjin e rishikuar për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, anëtaret e Bordit vendosën kështu: 1) Mandati i anëtareve të bordit zgjat deri në Kuvendin Vjetor të ardhshëm, ku aty përzgjidhen anëtaret e reja, për ato që iu kalon mandati; 2) Mbledhja e fundit e Bordit, ku RrGK raporton për pjesën e fundit të vitit, shtyhet për në fillim të vitit të ardhshëm kur edhe të gjitha informatat janë të plota.

Gjatë kësaj mbledhjeje rreth dy orëshe, anëtaret e Bordit dhanë kontributin e tyre të çmueshëm, ku vazhdimisht mbështesin dhe ofrojnë ide për tejkalimin e çfarëdo sfide që del përpara, dhe në të njëjtën kohë vlerësojnë arritjet e përbashkëta përgjatë viteve. Lidhur me këtë, për të diskutuar dhe për të zhvilluar shumë ide që u diskutuan gjatë mbledhjes, Bordi bashkë me RrGK u dakorduan për organizimin e një retreat në vitin 2024.  

RrGK beson fuqishëm në rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies për funksionimin sa më të mirë të një organizate, andaj edhe mban përgjegjësi për raportim tek Kuvendi i Anëtareve çdo vit, si dhe tek Bordi Ekzekutiv si organ i ndërmjetëm dhe shumë i rëndësishëm. Andaj, RrGK është gjithmonë falenderuese ndaj të gjithëve për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e pakursyer ndër vite, drejt avancimit të të drejtave të grave dhe barazisë gjinore në Kosovë dhe më gjerë.