Burbuqe Berisha – Regjisorja e parë grua në Kosovë, që ngriti lart rolin e gruas në kinematografinë kosovare

“Ka shumë artistë të mëdhenj, që jetojnë shumë gjatë dhe nuk arrijnë të bëjnë as një të katërtën e punës që ka bërë Burbuqja. Ajo i bëri të gjitha me një shpejtësi marramendëse sikur ta ndjente se do të ikte herët. Buqja është regjisorja e parë grua në Kosovë dhe ishte inspirim për regjisoret e reja që vinin pas.”

Kështu e kujtonte Buqen siç e quan ajo, Arbnesha Grabovci Nixha, mikja e ngushtë e regjisores së parë të filmit e teatrit në Kosovë.

Burbuqe Berisha përfaqëson një grup krijuesish të cilët u formuan gjatë kohës së rezistencës duke e shndërruar artin si rezistencë e dëshmi.

Jeta e saj nuk ishte e lehtë. Burbuqe Berisha ka bërë shumë sakrifica për familjen e saj. Ajo u rrit pa prindër, ndërsa babai i saj ishte burgosur për motive politike. Burbuqja ishte nëna dhe babai për motrat dhe vëllain e saj, duke i ndihmuar ata të arrijnë qëllimet e tyre dhe duke i udhëzuar në rrugën e duhur.

Por, me gjithë vështirësitë, ajo la gjurmë në historinë e re të Kosovës duke u bërë gruaja e parë që diplomoi në Fakultetin e Arteve, Dega e Regjisë së Filmit në Universitetin e Prishtinës.

Krahas profesionit si regjisore, ajo ka ushtruar edhe pozitën e drejtores në Teatrin Kombëtar të Kosovës për një periudhë katër vjeçare.

Ajo gjithashtu ishte edhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota” ne vitin 2017, si dhe menaxhere e Kino ABC-së.

Burbuqe Berisha ka krijuar një numër të konsiderueshëm të filmave me metrazh të shkurtër dhe te gjatë si dhe dokumentarë, seriale televizive, shfaqje teatrore dhe ishte fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar dhe në vitin 2019 ishte fituese e çmimit kombëtar për kinematografi.

Në dhjetor të vitit 2003, filmi i saj “Kosova Eleven” fitoi një nga çmimet kryesore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit me Metrazh të Shkurtër.

Në vitin 2019 asaj iu nda çmimi “Bekim Fehmiu” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për kontributin e saj në art.

Filmi i saj “Një tregim Prishtine” është shpërblyer me çmimin Special të Medias në Konkurrimin e Filmit të Gjatë në festivalin “Dea Open Air” në Tiranë.

Ky filmi, i cili njëherësh shquhet si një prej prodhimeve të saj më të suksesshme, trajtonte një temë të ndjeshme aq sa edhe personale për regjisoren.

“Filmi flet për një familje, ku një vajzë e vogël sëmuret nga leukemia dhe prindërit e saj bëjnë të pamundurën për të gjetur të ardhurat e duhura për ta shëruar”, kishte thënë regjisorja tashmë e ndjerë atë kohë.

Prej vitesh, Burbuqja ushtronte edhe profesionin e ligjërueses dhe prodekanes së Fakulteti të Gazetarisë dhe Komunikimit Masiv, në kuadër të Kolegjit AAB në Prishtinë.

Megjithëse kishte përjetuar sfida të mëdha në jetë, Burbuqe Berisha njihej si një person që nuk u ndal kurrë së ndihmuari të tjerët. Të afërmit, miqtë dhe kolegët e saj thonë se ajo ishte gjithmonë e gatshme të japë ndihmën e saj kur është e nevojshme.

Ajo për vite me radhë ka qenë pjesë e organizimit “Tetori Rozë” për të ngritur vetëdijesimin kundër kancerit të gjirit, në vecani ecjes tradicionale kundër kancerit të gjirit të mbajtur në muajin tetor, duke i ndihmuar ata që vuajnë nga kjo sëmundje dhe duke ngjallur ndërgjegjësimin për rëndësinë e kujdesit të shëndetit.

Ajo u largua në moshën 51 vjecare, duke na lënë si kujtim një grua të fortë, këmbëngulëse, të dashur e profesioniste të palodhur. Frymën e fundit të saj e dha në shkallët Ministrisë së Kulturës pasi po përgatitej për regjinë e koncertit inaugurues të Operës së Kosovës.

Burbuqe Berisha lindi në vitin 1970 dhe vdiq në Prishtinë në vitin 2021.