Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor diskutohet në kuadër të Programit Certifikues PPDL

 Me 15 dhjetor, në hapsirën e Universitetit Amerikan në Kosovë (AUK), Igballe Rogova, drejtore ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), mbajti ligjeratë për "Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor në Nivel Lokal” në kuadër të trajnimit PPDL – Kohorti 5.

Znj. Rogova fillimisht prezantoi një historik të shkurtër për punën e RrGK-së dhe vizionit që RrGK promovon për një shoqëri të barabartë. Ajo tregoi se si Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor (BPGj) paraqet integrimin e perspektivës gjinore në të gjitha fazat e planifikimit, ekzekutimit, monitorimit dhe vlerësimit të buxhetit duke e bërë këtë proces më efikas dhe të barabartë për të gjithë qytetarët. Duke qënë se Ministria e Financave, përmes Qarkoreve Buxhetore, si dhe Ligji për Barazi Gjinore 05/L-020, i obligon organizatat buxhetore ta institucionalizojnë BPGj-në në dokumentet e tyre buxhetore, RrGK, përpos tjerash, ka bashkëpunuar me Ministri dhe Komuna të ndryshme për ta ndihmuar në këtë proces.
“Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor nuk kërkon domosdoshmërisht buxhet shtesë, nuk kërkon ndarje 50% me 50% të buxhetit, dhe nuk është vetëm për gra. Përfitimet që vijnë nga BPGj-ja ndihmojnë në zvogëlimin e pabarazive, efektivitetin e ndarjes së mjeteve, raportimin më të mirë tek Ministria e Financave, dhe rritjen, prosperitetin e zhvillimin ekonomik”, u shpreh znj. Rogova.
Diskutimet dhe interaktiviteti pas ligjëratës nga zyrtarët e ndryshëm pjesëmarrës ishin mjaft premtuese për punën e tyre të mëtejshme për të zvogëluar pabarazitë ekzistuese.
Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), i ka ndarë Fondacionit të Universitetit Amerikan në Kosovë një grant për zbatimin e Programit të Lidershipit Transformues – Kurse për Shërbyes Publik. Qëllimi i Programit Certifikues PPDL është që ta ndihmojë popullin dhe Qeverinë e Kosovës në rritjen e kapaciteteve të zhvillimit të politikave publike dhe lidershipit në nivel qendror dhe komunal.