Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor në komunat e Vitisë, Gjilanit dhe Kamenicës

Me 19 prill, Qendra për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve ”Liria” dhe OJQ “Legjenda” organizuan takimin përmbyllës të projektit “Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ)”. Në këtë takim ishin të pranishëm zyrtarë të tri komunave: Vitisë, Gjilanit dhe Kamenicës, si dhe përfaqësuese nga RrGGK.
     Ky projekt u konsiderua mjaft i suksesshëm nga të dy organizatat partnere, pasi që më parë, me përjashtim të Komunës së Kamenicës, në dy komunat tjera nuk është trajtuar tema e BPGJ-së. 
     Komuna e Kamenicës edhe më parë, në bashkëpunim me RrGGK, kishte ndërmarrë masa sa i përket BPGJ-së dhe rezultatet ishin mjaft të kënaqshme, me ç’rast kjo komunë kishte edhe një nën kod i cili zbatohej në lidhje me këtë temë. Ndërkaq, Komuna e Vitisë dhe ajo e Gjilanit ishin në pozitë më të pafavorshme sa i përket BPGJ-së, pasi që asnjëherë më parë nuk është marrë një nismë e tillë dhe ndër sfidat të cilat i kanë hasë këto dy komuna kanë qenë edhe fakti se më parë nuk kanë pasur njohuri lidhur me atë se çka nënkupton BPGJ; se përse është i rëndësishëm BPGJ dhe shumë zyrtarë e kanë keqkuptuar duke theksuar se “ju, gratë, po kërkoni shumë” pa e ditur se BPGJ nuk i përfshinë vetëm gratë dhe vajzat, por të dy gjinitë në mënyrë të barabartë. Tani, që të dy këto komuna kanë filluar që të bëjnë analiza dhe hulumtime sa i përket BPGJ-së, gjë që tregon edhe suksesin që kanë arritur këto dy organizata me realizimin e këtij projekti. 
     “Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor mund të arrihet lehtë; kjo mund të bëhët çdo vit gjatë miratimit të buxhetit, dhe të bëhet ndarja e buxhetit në mënyrë të barabartë,” u shpreh një zyrtar nga Komuna e Vitisë. 
     Kontribut mjaft të madh sa i përket BPGJ-së në Komunën e Kamenicës kanë dhënë edhe Grupi i Grave të kësaj komune, të cilat kanë bërë hulumtime mjaftë të thella në institucionet shkollore dhe shëndetësore, për të parë se a janë më shumë të përfshira gratë apo burrat në këto institucione, si dhe kanë avokuar në këto institucine që të bëhen ndryshime sa i përket barazisë gjinore. 
     “Barazia Gjinore mund të arrihet gradualisht,” u shpreh një zyrtar nga Vitia. “Ndoshta arsyeja se pse kemi më shumë burra të punësuar sesa gra, është pikërisht shkollimi i tyre, pasi që më shumë në numër kanë qenë të shkolluar burrat sesa gratë, e në ditët e sotme është duke ndodhur e kundërta”. 
     Drejtorja e organizatës Lira u shpreh se “qëllimi i realizimit të këtij projekti ka qenë përfshirja e BPGJ-së në këto tri komunat.” Për të arritur suksese në këto komuna janë mbajtur trajnime me drejtor/e të këtyre komunave dhe me asambleistë/e, me qëllim që ta kuptojnë se çka nënkupton BPGJ-ja. Sipas saj, “projekti ka qenë shumë i rëndësishëm dhe shumë i suksesshëm, pasi që shumë pak zyrtarët më parë e kanë ditur se çka nënkupton BPGJ-ja dhe shumë pak e kanë zbatuar në institucionet e tyre të punës.” 
      Barazia gjinore shumë lehtë mund të përfshihet në të gjitha komunat, pasi që për këtë ekziston baza ligjore që është Ligji për Barazi Gjinore, i cili garanton, mbron dhe promovon barazinë në mes të dy gjinive. 
     Realizimi i këtij projekti të Qendrës për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve ”Liria” dhe OJQ “Legjenda” u mbështet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe u financua nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.