Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) në bashkëpunim të ngushtë me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) dhe Ministrinë e Financave të Republikës së Kosovës, ka punuar së bashku në institucionalizimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGj) në Kosovë. Me 5 gusht, morrëm lajmin se Ministria e Financave në përputhje me Ligjin e ri për Barazi Gjinore (2015), ka integruar buxhetimin e përgjegjshëm gjinor në Qarkoren e fundit Buxhetore 2016/02 për organizatat qendrore dhe lokale të buxhetit. Duke cituar nenin 5.1.5, Qarorja e re Buxhetore ‘’inkurajon organizatat buxhetore t’i bëjnë të dukshme efektet e shpenzimeve publike në kuptimin e barazisë gjinore të burrave dhe grave, djemve dhe vajzave në buxhetet vjetore të vitit 2016." Kjo do të kontribuojë në ngritjen e efikasitetit dhe transparencës së menaxhmentit të financave publike.
Për më tepër, Minstira e Financave ka inkorporuar një shtojcë me tabela të cilat mund të përdoren për të mbledhur të dhëna të ndara sipas gjinisë (krijuar nga RrGGK në bashkëpunim me GIZ). Duke e bërë këtë, ministria inkurajon secilën organizatë buxhetore të integrojë këto tabela si shtojcë të buxheteve vjetore për vitin 2016, duke përdorur analizat gjinore të trendeve të kaluara në shpenzimet për gratë dhe burrat për të informuar shpenzimet e planifikuara. Analiza gjinore e trendeve të mëparshme është vendimtare në lidhje me informimin rreth objektivave specifike, aktiviteteve si dhe indikatorëve për të rritur barazinë gjinore në sektore të ndryshme, gjithmonë në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore.
Duam të urojmë Ministrinë e Financave për punën e bërë drejt zbatimit të Ligjit të ri për Barazi Gjinore dhe përpjekjet e vazhdueshme për të inkurajuar organizatat buxhetore të integrojnë Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor në dokumentet e tyre buxhetore.