BWM avokon për politikat e vendeve të punës miqësore për familje në Mitrovicë

Përgjatë nismës 10 mujore “Promovimi i punësimit përmes vendeve të punës miqësore për familje”, organizata anëtare e RrGK-së, Bussines Women Mitrovica (BWM) ka arritur që të informojë përfaqësuesit e shoqërisë civile, subjektet afaristë dhe zyrtarët komunale mbi politikat e vendeve miqësore për familjen.

Në kuadër të nismës “Krijimi i vendeve miqësore të punës”, përfituese nga raundi i 15-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK), BWM ka anketuar më shumë se 100 persona, ndërsa 1400 qytetarë janë informuar përmes rrjeteve sociale në lidhje më këtë çështje.

Kjo organizatë i ka informuar gratë ndërmarrëse mbi modelet e politikave miqësore për familjen, si dhe mundësitë që këto modele t’i zbatojnë në kompanitë apo bizneset e tyre.

Nisma ”Promovimi i punësimit përmes vendeve të punës miqësore për familjen” u mbështet nga Fondi Popullor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNFPA) përmes nismës së RrGK-së “Më shumë zgjedhje: Politika familjare përgjegjëse gjinore për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor dhe në Moldavi”, financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), njësia operacionale e Agjencionit Austriak për Bashkëpunim.