Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Bussines Women Mitrovica, më 10 nëntor në Mitrovicë, ka mbajtur sesion informues me 12 përfaqësuese të bizneseve në Mitrovicë dhe përfaqësues të institucioneve të kësaj komune, në kuadër të nismës “Krijimi i vendeve miqësore të punës”, përfituese nga raundi i 15-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK)
Gjatë këtij takimi, gratë ndërmarrëse u informuan mbi modelet e politikave miqësore për familjen, si dhe mundësitë që këto modele t’i zbatojnë në kompanitë apo bizneset e tyre.
Valbona Sadiku që drejton një biznes me bletari pohoi se gratë në intervista pune gjithmonë pyeten për planifikimin familjar, e kjo është diskriminuese.
“Ne, si gra ndërmarrëse, duhet ta ndalim këtë diskriminim dhe të përqëndrohemi në krijimin e vendeve të punës miqësore në mënyrë që këto politika të vazhdojnë tutje dhe gratë të mos privohen nga mundësitë për punësim”.
Kurse, Hatixhe Ibrahimi që drejton një agrobiznes tregon se fokusi i saj gjithmonë ka qenë punësimi dhe fuqizimi i grave.
“Çdo herë në ekipin tim të punës ka gra dhe gjithmonë do t’i mbështes ato. Patjetër duhet të krijohen vende miqësore të punës në çdo kompani dhe biznes. Kjo në mënyrë që të kemi barazi në çdo familje”, shtoi ajo.
Tutje, Fahri Jashari nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Mitrovicës tha se rekomandimet e nxjerra nga ky sesion do të dërgohen në institucionet komunale.
“Këtu jemi bashkë përfaqësues të sektorit publik dhe përfaqësues të bizneseve që të diskutojmë dhe të promovojmë gjetjen e mënyrave për krijimin e politikave familjare që sigurojnë ekuilibër ndërmjet jetës dhe punës. Rekomandimet janë shumë të rëndësishme për neve si komunë që të orientohemi në cilat fusha të punojmë më tepër”, tha ai.
Për më tepër, gratë ndërmarrëse diskutuan edhe vështirësitë që hasin si biznese që udhëhiqen nga gratë, mospërkrahjen nga institucionet dhe mungesën e hapësirës për të promovuar produktet.
Pjesëmarrëset vlerësuan lart këtë mundësi për të ndarë përvojat dhe idetë e tyre lidhur me krijimin e vendeve miqësore të punës.
Nisma ”Promovimi i punesimit permes vendeve te punes miqesore per familjen” u mbështet nga Fondi Popullor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNFPA) përmes nismës së RrGK-së “Më shumë zgjedhje: Politika familjare përgjegjëse gjinore për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor dhe në Moldavi”, financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), njësia operacionale e Agjencionit Austriak për Bashkëpunim.