Çasja në Kujdesin Shëndetësor përmes Edukimit dhe Informimit në Rahovec 

Në komunën e Rahovecit, gratë përballen me sfida të shumta për sa i përket çasjes në kujdesin shëndetësor, veçanërisht në zonat rurale, pengesat financiare dhe mungesa e shërbimeve funksionale e bëjnë të vështirë për to të marrin kujdesin e nevojshëm. Ndryshe nga burrat, gratë shpesh e vlerësojnë gjendjen e tyre shëndetësore si më të dobët. Duke pasur parasysh këtë gjendje në komunën e Rahovecit, e sidomos në fshatrat e këtij qyteti, organizata “Gruaja Fermere”, anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), ka ndërmarrë një iniciativë për të përmirësuar çasjen në kujdesin shëndetësor për gratë dhe vajzat e komunës së Rahovecit, duke përfshirë zonat rurale dhe qytetin.  

Gruaja Fermere me nismën “Promovimi i kujdesit shëndetësor primar për gratë në vendet rurale”, ka rezultuar të jetë një nga format e pakta, e për disa e vetmja, që i ka ofruar grave dhe vajzave të komunës së Rahovecit informata për çasje në shërbime shëndetësore dhe të drejtat që atye u takojnë në marrjen e këtyre shërbimeve.  

Gjatë takimeve me gratë dhe vajzat pjesëmarrëse, është zhvilluar edhe ana avokuese e tyre duke i ndihmuar ato të shprehin pakënaqësitë e tyre dhe ankesat, në mënyrë të shkruar, që ato të merren parasysh.  

“Une praktiksiht i kam mësu, në çdo QMF [Qendra e Mjekësisë Familjare] kam qenë, i kam fotografu kutiat e ankesave, kam bisedu me motrat medicinale, me mjekët”, thotë  Muradije Shehu, përfaqësuese e organizatës Gruaja Fermere. 

Nga takimet  informuese të mbajtura në Rahovec dhe në tre fshatrat përreth, Apterush, Krushë e Madhe dhe Zatriq, 82 gra kanë qenë përfituese në rritjen e vetëdijesimit për të  drejtat e tyre në çasjen ndaj kujdesit shëndetësor cilësor. Ato kanë mësuar për mekanizmat e raportimit të shkeljeve të të drejtave të tyre dhe janë ndjerë më të inkurajuara për të avokuar për përmirësimin e këtyre shërbimeve.  

Përveç kësaj, falë ligjëratave të projektit, 40 gra dhe vajza janë informuar rreth parandalimit të sëmundjeve të rënda si kanceri i gjirit, kanceri i qafës së mitrës dhe menaxhimi i sëmundjeve masovike jo-ngjitëse si hipertensioni (HTA), diabeti dhe hiperlipidemia. 

Gruaja Fermere po e vazhdon rrugëtimin e saj, tani duke ndjekur drejtime të reja për të informuar dhe fuqizuar gratë dhe vajzat në zona të ndryshme të komunës. Me këtë nismë, ajo synon të zgjerojë ndikimin dhe t’u ofrojë këtyre grave njohuri dhe mundësi të reja. Planifikohet të mbahen 11 takime me gra dhe vajza nga 11 fshatra të komunës së Rahovecit, në Zoqishtë, Ratkovc, Xërxë, Radost, lagjja Serbe, lagja Rome, Fortesë, Celinë, Hoça e Madhe, Hoça e Vogël, Denjë dhe Sopniq. Objektiva kryesore e projektit duke qenë që gratë të kenë çasje më të mirë në kujdesin shëndetësor.   

Informimi i grave dhe vajzave po bëhet për sëmundjet e kancerit të gjirit, kancerit të qafës së mitrës, menaxhimi i sëmundjeve masovike jo-ngjitëse, HTA, Diabeti Mellit, Hiperlipidemia, etj. Ligjëratat, të udhëhequra nga një mjeke përgjegjëse, ndiqen me vëmendje nga pjesëmarrëset, të cilat përfshihen në diskutime dhe ndajnë përvoja nga jeta e tyre, shprehin shqetësimet që i kanë dhe problemet të cilat zakonisht i hasin. Në këto takime, ato marrin këshilla dhe informacione të rëndësishme për mbrojtjen nga sëmundjet dhe temat e tjera shëndetësore. 

Sipas zonjës Muradije, këto ligjërata po ndikojnë pozitivisht që këto gra t’i marrin shërbimet e duhura shëndetësore dhe të ankohen, duke i përdorur kutitë e ankesave në QMF-të e fshatrave dhe në QKMF në komunën e Rahovecit. 

Ideja e trajnimeve në shëndetësi ka ardhë nga vetë bisedat mes grave, nga kontakti me gratë është vërejtur që ka munguar njohuria e tyre për të drejtat që i kanë në marrjen e shërbimeve shëndetësore dhe nevojat e grave për të ditur. Nevoja për të arritur te gratë nëpër vende rurale për të pasur casje të gjitha gratë. Gratë që jetojnë në zonat rurale përballen me pengesa financiare, pengesa në casjen e shërbimeve shëndetësore-Shtëpitë e shëndetit janë jo-funksionale. Gratë rome, ashkalike dhe egjiptase kanë edhe pengesa kulturore, financiare dhe casje në këto shërbime. 

Zonja Muradije tregon se vetëdijesimi i grave për të drejtat e tyre është rritur, por ligjëratat e ngjashme janë edhe më të nevojshme për gratë Rome, pasi sipas saj ky komunitet edhe anshakalohet, sikur personat më të moshuar. “Vetë personat e këtij komuniteti, janë shprehur që mjekët nuk japin informata të plota dhe të sakta rreth marrjes së ilaçeve”, thotë ajo. Pjesëmarrja e grave në aktivitetet e organizuara këtë vit duket se është rritur, dhe ky interesim është vërejtur edhe në komunitetet pakicë, më shumë gra serbe dhe rome po marrin pjesë në këto ligjërata vetëdijeseuse.  

Deri më tani, në aktivitetet e Gruas Fermere, janë trajnuar 248 pjesëmarrëse, 24 gra serbe, 21 gra rome dhe 213 gra shqiptare të këtyre vendeve.  

Nga interesimi i deritanishëm i grave dhe vajzave, Gruaja Fermere dëshiron të vazhdojë në të ardhmen këtë lloj edukimi për vajzat e reja (adoleshente), pasi që duket se është një nevojë në rritje.  

Gruaja Fermere po e realizon këtë nismë, si përfituese e rundit të 19-të granteve të Fondit të Grave të Kosovës, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).