Celia dhe Léna, dy aktiviste të patrembura kanë ndërmarrë një udhëtim prej 3 mijë kilometrash me biçikletë nga Zvicra në Stamboll.
Në këtë rrugëtim, që përveç sportiv është më shumë vetëdijesues, ato do të ngasin biçikletat për të mbështetur Shoqatën La Maisonnée në Sion, e cila ndihmon gratë që përballen me vështirësi me fëmijët e tyre.
Udhëtimi do të përfundojë në Stamboll me një vizitë në një shoqatë turke që lufton për të drejtat e grave.
Por kjo nuk është e gjitha – gjatë rrugës ato do të dokumentojnë histori frymëzuese për të drejtat e grave në 11 vende.
Ky dokumentar do të fokusohet në të drejtat e grave dhe gjendjen e tyre në Itali, Slloveni, Kroaci, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Greqi dhe Turqi.
E ne në Kosovë do t’i mirëpresim Celia-n dhe Lena-n më 24 dhe 25 korrik. Ato gjatë përshkimit të rrugëve tona, fillimisht do të qëndrojnë në Gjakovë ku organizata anëtare e RrGK-së, Medica Kosova, do jetë nikoqire e tyre për një natë.
Rrugës për në Prishtinë, më 24 korrik ato do të ndalojnë në Rahovec, te organizata tjetër anëtare Shoqata Hareja për të biseduar dhe marrë informacione në lidhje me gjendjen e grave në këtë komunë.
Ndërsa ne në RrGK presim t’i ndajmë rrëfimet tona me aktivistet nga Zvicra më 24 dhe 25 korrik.
Dhe nuk mbaron e tëra këtu! Të mërkurën, më 26 korrik, një ngjarje mbështetëse do të organizohet nga Maraklite e Biciklave dhe RrGK-ja. Duke filluar nga ora 07:30 së bashku, do të ngasim biçikletat nga sheshi Zahir Pajaziti në Prishtinë deri tek Rrethi i Flamurit, ndërsa ato vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejt Shkupit, për të ngritur zërin për mbrojtjen e të drejtave të vajzave dhe grave kudo.
RrGK ju bën thirrje secilit që ka dëshirë t’i bashkohet kësaj nisme që të takohet me ne të mërkurën dhe të mbështesim Celian dhe Lenan si dhe kauzën tonë të përbashkët për të drejtat e vajzave dhe grave.