CZM përmbyll me sukses nismën “Unë kam të drejtë të informohem”

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Centar Manjinske Zajednice (Shqip: Qendra e Komunitetit Pakicë), ka përmbyllur me sukses nismën “Unë kam të drejtë të informohem”, mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës.

Në kuadër të kësaj nisme CZM ka publikuar dy raporte për cilësinë e procesit zgjedhor dhe për përmbajtjen mediatike kushtuar zgjedhjeve në Graçanicë, Fushë Kosovë, Prishtinë dhe Rahovec.

Gjithashtu, kjo organizatë ka hartuar një raport mbi përmbajtjen mediatike kushtuar zgjedhjeve në vazhdën e përpjekjes për ngritjen e vetëdijes së zyrtarëve për gjendjen e mediave në Kosovë. Raporti analizon të dhënat e mbledhura nga dita e zgjedhjeve për të kontribuar në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve gjatë procesit zgjedhor.

Duke i parë se gratë dhe të rinjtë e komunitetit serb dhe rom ishin të pasivë dhe të painteresuar për të marrë pjesë në zgjedhje, kjo organizatë përmes videove vetëdijesuese dhe formave tjera të informimit në gjuhën serbe dhe rome i ka informuar ata për  rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe të drejtën e votës.

Me fushatën për të drejtën e votës që u postua në rrjetet sociale, kjo organizatë i informoi qytetarët për të drejtën e votës dhe procesin e votimit duke arritur të përcoje mesazhin te të paktën 55 mijë banorë që jetojnë në territorin e komunave të Graçanicës, Prishtinës, Fushë Kosovës, Lipjanit. dhe Rahovecit.

CZM ishte përfituese e grantit të raundit të 15-të të Fondit të Grave të Kosovës mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, përmes nismës së RrGK-së “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”.