Deklarata e RrGK-së për Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës 

Sot, më 2 Tetor, shënohet Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës, në një kohë kur luftërat dhe konfliktet vazhdojnë të tërbojnë botën. 

Me mendje jemi tek motrat tona në Palestinë, Ukrainë, Liban, Sudanin e Jugut, Ugandë, Izrael, dhe më gjerë. Mendojmë për viktimat dhe agresorët, për ata që janë të dyja palët në këtë dhimbje. Shpresojmë për një rrugë më ndryshe në vazhdim. 

Aspirojmë t’i japim fund dhunës. 

Ëndërrojmë për një ditë kur çdo grua do mund të shijojë kafen e mëngjesit apo një shëtitje në park pa kërcënimin e dhunës, qoftë në shtëpi, në rrugë, apo edhe nga raketat dhe trupat ushtarake. 

Sot kujtojmë rezistencën pasive të shqiptarëve të Kosovës, të cilët për më shumë se një dekadë organizuan arsimin, shëndetësinë dhe ndihmën humanitare në fshehtësi, edhe pse këto ishin të ndaluara nga regjimi serb i udhëhequr nga Millosheviçi. Kujtojmë rolin jetik që gratë luajtën si agjente të paqes, duke udhëhequr këtë rezistencë paqësore. Kujtojmë se si mijëra gra dolën në rrugë shumë herë për të marshuar drejt një fundi paqësor nga shtypja serbe. 

Gjithashtu kujtojmë se si kjo rezistencë paqësore, ashtu si ajo e motrave tona në Serbi, u anashkalua kryesisht nga bashkësia ndërkombëtare. Vetëm kur shqiptarët morën armët për të mbrojtur veten, familjet dhe shtëpitë e tyre, bota filloi t’i hapë sytë dhe të shohë. 

Sot, ne ndjejmë kërcënimin e vërtetë të rizgjimit të konfliktit “të ngrirë” të Kosovës me Serbinë në mes të peizazhit gjeopolitik aktual, përderisa aktorët ndërkombëtarë shikojnë pasivisht apo edhe nxisin flakët në ndjekje të agjendave të tyre. 

Fuqia dhe rezistenca jonë paqësore ndaj shtypjes vazhdon të mbetet kryesisht e panjohur, ndërsa ata që janë në pushtet përfitojnë nga kompleksi ushtarako-industrial. Triliona euro, dollarë dhe monedha të tjera shpenzohen për militarizimin dhe armët. Megjithatë, besimi neoliberal se armët më të forta do të çojnë në paqe është dëshmuar vazhdimisht i rremë. Armët çojnë në më shumë armë, dhe dhuna lind vetëm dhunë.  

Po sikur, në vend të financimit të armëve, të investonim në arsim, ushqim, shëndetësi dhe veprime për klimën—hapa që do të zvogëlonin nevojën që njerëzit të braktisin shtëpitë e tyre? Po sikur, në vend të ndërtimit të mureve, të ndihmonim të tjerët të ndërtonin jetë më të mira? 

Po sikur, në vend të dhunës, të përqafonim dashurinë? 

Kjo nuk është utopike, është një zgjedhje që mund të bëjmë në jetën tonë të përditshme. Secili prej nesh mund të zgjedhë të flasë me dashuri, duke mos përsëritur gjuhën agresive dhe dhunën që na rrethon. 

Ne mund të dalim vullnetarë, të mbështesim dhe të votojmë për partitë politike që promovojnë mirëqenien sociale dhe jo dhunën, në vend të shpenzimeve ushtarake. 

Ne mund të njohim rolin që secili prej nesh luan në mundësimin e vazhdimësisë së nxjerrjes së burimeve, si nafta, e cila siguron stimuj për korporatat dhe politikanët për të mbështetur fushata ushtarake që destabilizojnë vendet, duke u lejuar atyre të përfitojnë nga burimet me kosto më të ulët. Ne mund të zgjedhim të ndalim ose të zvogëlojmë ndjeshëm përdorimin e naftës dhe burimeve të tjera që nxisin industritë e tilla ekstraktive dhe të dhunshme. Nëse refuzojmë të konsumojmë, nuk do të ketë nevojë për shfrytëzim. 

Ne mund të kërkojmë që dhuna të mos kryhet në emrin tonë dhe të qëndrojmë kundër dhunës që kryhet mbi baza nacionaliste, etnike apo për përfitime të burimeve. 

Në vend të dhunës, le të zgjedhim dashurinë.