Më 22 shtator, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) pati kënaqësinë të mirëpriste vizitën e Delegacionit për Miqësi Ndërmjet Grave, një organizatë jopolitike me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila nxit mirëkuptim ndërkulturor dhe miqësi të qëndrueshme ndërmjet grave në mbarë botën.
Delegacioni punon për të thelluar njohuritë mbi jetën dhe punën e grave në mbarë botën, veçanërisht në vendet ku marrëdhëniet me SHBA-të janë në zhvillim. Qasja e tyre unike përfshin udhëtime studimore të vetëfinancuara në këto vende, gjatë të cilave delegatet lidhen dhe zhvillojnë biseda të rëndësishme me lidere lokale. Këto takime shpesh çojnë në bashkëpunime afatgjata, shkëmbim njohurish dhe promovimin e zërit të grave përmes fjalimeve, publikimeve dhe dialogut të vazhdueshëm në SHBA.
Delegacionin që vizitoi Kosovën e përbënin Joanna Millick, Ashley O’Connor, Kimberly Harms, Suzanne Connolly, Flora Kubitz, Darlene Miller, Carolyn Moats, Barbara Pritchard, Nancy Uscher, Kally Zebrowski Heller dhe Christine Zak – të gjitha gra të suksesshme nga fusha të ndryshme profesionale.
Në zyrën e RrGK-së në Prishtinë, delegacioni u prit ngrohtësisht nga Adelina Berisha dhe Zana Rudi, të cilat prezantuan misionin e RrGK-së, historikun që nga themelimi dhe ndikimin e gjerë që Rrjeti ka pasur në avancimin e barazisë gjinore dhe të drejtave të grave në Kosovë dhe rajon.
Anëtaret e delegacionit shprehën admirim të thellë për arritjet e RrGK-së. “Është vërtet frymëzuese të dëgjosh e të mësosh për gjithë punën e jashtëzakonshme që keni bërë përmes rrjetit tuaj,” tha Barbara Pritchard, anëtare e bordit të Delegacionit. “Patjetër që do të flasim për punën tuaj kur të kthehemi në SHBA. Rrjetëzimi është shumë i rëndësishëm dhe jemi të lumtura që e lidhim rrjetin tuaj me aktivistet tona nga fusha të ndryshme. Në këtë mënyrë mund të mbetemi në kontakt dhe të vazhdojmë të ndajmë përvoja, njohuri dhe mbështetje.”
Kjo vizitë shënoi fillimin e asaj që premton të jetë një marrëdhënie e frytshme dhe mbështetëse ndërmjet lidereve të grave në Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, respekt të ndërsjellë dhe fuqinë e lidhjes.