Dera e Hapur lanson projektin më të ri “E shpis ”

 Me 21 mars, Qendra e Gruas “Dera e Hapur”, e cila njëherit është edhe anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) lansoi Biznesin Social E Shpis’ , që është projekt i kësaj Qendre, por që do të funksionoj i pavarur.     
  Ky biznes ishte një ëndërr e kahmotshme e stafit të “Dera e Hapur” dhe këtë vit, me mbështetje të Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) u bë realitet.
    E shpis’ ka për qëllim ofrimin e gatimeve tradicionale me kualitet të lartë, duke mundësuar kështu vende të reja pune për gratë dhe vajzat.
Gjatë lansimit, znj. Belgjyzare Muharremi, Drejtore e Qendrës së Gruas “Dera e Hapur”, bëri një prezantim të shkurtër lidhur me projektin, duke treguar se në biznesin E Shpis’  janë punësuar gjithsej dhjetë gra, ku tetë prej tyre do të merren me përgatitjen e ushqimit, ndërsa dy të tjerat do të merren me financat dhe menaxhimin e biznesit, respektivisht. Ajo shpreson që biznesi të zgjerohet edhe më shumë që të rritet edhe me shumë numri i grave të punësuara aty.
      “Gratë të cilat do të merren me përgatitjen e ushqimit janë viktima civile të luftës, të cilat janë më me nevojë për të pasur punë dhe të cilat kanë përvojë në përgatitjen e ushqimeve tradicionale,” u shpreh ajo. 
       Ushqimet tradicionale të pregatitura në E Shpis’ mund të blihen në hapësirën e qendrës, por edhe përmes porosisë. “Dera e Hapur” do të ofroj një kuzhinë tradicionale shqiptare mjaft të begatshme, me mundësi të mëdha të zgjedhjes.
   Ndërsa, përfaqësuesi nga GIZ, theksoi se është mjaftë i lumtur që u bë hapja e një biznesi të tillë dhe se shpreson që “E Shpis’ do të mbështetet edhe nga donator të tjerë e që çdo herë e më shumë të rritet kërkesa për këto ushqime dhe numri i të punësuarave aty”. Ai më tutje theksoi se “ky është bashkëpunimi i parë dhe se shpreson që do të vazhdojnë edhe me tutje që të bashkëpunojnë.”