Qendra e Gruas “Dera e Hapur” me 14 shtator organizoi hapjen solemne të Panairit të 13-të të Artizanateve dhe Trashëgimisë Kulturore 2017. Panairi tradicional u organizua në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Kulturore Evropiane, nga 14 deri me 18 shtator.
Duke qenë se Dera e Hapur që nga viti 2005 i sjellë Prishtinës diversitet kulturor duke integruar e promovuar komunitete të ndryshme përmes këtij panairi, ky i fundit cilësohet si manifestimi më i madh i artizanateve në Kosovë që promovon vlera të kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
Gjatë katër ditëve në Sheshin “Nënë Tereza” panairi solli para vizitorëve punime artizanale të artit aplikativ të punuara në mënyrë unike në tekstil, dru, gurë, metale, kostume popullore, punime në vek, qëndisje të ndryshme, enë dheu, ushqim tradicional që përfaqësonin treva të ndryshme të Kosovës e rajonit.
Belgjyzare Muharremi, udhëheqëse e Qendrës Dera e Hapur është shprehur që puna dhe mundi shpaguhen me suksesin që korr panairi, duke i dhënë vullnet që të vazhdojë me organizim edhe vitet në vijim.