“Dhuna nuk fshehet mrena mureve” shfaqet edhe për qytetarët e    Prizrenit

Ekspozita “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, e cila kësaj rradhe u shfaq në “Sheshi i Dëshmorëve” në Prizren, në ora 11:30, solli para qytetarëve/eve një labirint simbolik që shpalosi disa prej rrëfimeve të grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë në familje, përjetime këto të mbledhura nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK). Ekspozita u organizua në bashkëpunim me Qendrën për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve (QSGF) në Prizren.

Qëllimi i ekspozitës është vetëdijësimi i qytetarëve/eve të Kosovës për të raportuar rastet e dhunës në familje si dhe informata se si dhe ku mund të gjejnë mbështetje institucionale.

Ekspozita u mbajt edhe në gjashtë qytete tjera: Prishtinë, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Pejë, e në muajt në vazhdim do të vazhdoi të shfaqet edhe në qytetet tjera të Kosovës.

“Duke marrë parasysh se janë 1330 raste të dhunës në familje të raportuara në policinë e Kosovës gjatë periudhës janar-shtator, inkurajoi të gjithë pjesmarrësit të marrin fakte nga kjo ekspozitë dhe të ndihmojmë e mbështesim viktimat e dhunës”, tha Jubilea Kabashi, drejtore në QSGF.

“Qëllimi i kësaj ekspozite është të ngrisë vetdijën e qytetarëve/eve mbi format e ndryshme të dhunës në familje dhe prevalencën e dhënës bazuar në gjetjet e hulumtimeve të RrGK, rolin e institucioneve në mbrojtje ndaj viktimave të dhunës në familje, si dhe ku mund të ankohet një qytetarë në rast se institucionet nuk u ofrojnë mbrojtjen e tyre”, tha Adelina Berisha nga RrGK.

Ekspozita përkrahet nga Bashkimi Evropian (BE) përmes UN Women (#EVAW) dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).