Dhurata e dasmës që vazhdon të jepet: Gaby dhe Rob mbledhin më shumë se 5,000 euro për të drejtat egrave!

Në një gjest prekës solidariteti, në vend të dhuratave tradicionale të dasmave, Gaby Hagmüller dhe Rob Lander ftuan mysafirët të mbështetin të drejtat e grave duke kontribuar për Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK).

Në ftesën e tyre të dasmës shkruhet: “Jemi të ngazëllyer me praninë tuaj, për dhuratë konsideroni të kontribuoni për Rrjetin e Grave të Kosovës, një organizatë e drejtuar nga njerëz që i njohim dhe i besojmë, që bën një punë të jashtëzakonshme për të mbështetur, mbrojtur dhe promovuar të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në mbarë Kosovën”.

Kërkesa e Gaby dhe Rob u prit me një mbështetje të madhe: miqtë dhe familja e tyre dhanë më shumë se 5,000 euro për RrGK-në!

Një i ftuar tha: “Duke ndjekur sugjerimin e Gaby dhe Rob, mendojmë se kontributi për RrGK-në është një mënyrë e shkëlqyer për të festuar dasmën e tyre”.

“Ekipi ynë në RrGK është thellësisht i prekur nga kujdesi i Gaby dhe Rob dhe bujaria e miqve dhe familjes së tyre,” tha Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK.

Kur i pyetëm Gaby dhe Rob se çka i frymëzoi për të ndërmarrë një akt të tillë të menduar aq mirë, ata thanë: “Miqtë dhe familja jonë duhej të udhëtonin nga larg për t’u bashkëngjitur në dasmën tonë. Ndërsa është e zakonshme në vendet tona të jepen dhurata për një dasmë, ne tashmë kemi një shtëpi të pajisur plotësisht dhe ndiheshim të turpëruar nga ideja e marrjes së parave nga miqtë tanë. Kështu që menduam se do të ishte më mirë t’u japim të ftuarve tanë mundësinë të kontribojnë për një organizatë bamirëse. Dhe duke qenë se unë [Gaby] kisha punuar me RrGK-në në të kaluarën, i besoja njerëzve aty dhe dija për ndikimin dhe aktivitetet e tyre, kjo dukej si zgjidhja perfekte”.

Fonde fleksibile si këto janë të rralla dhe jashtëzakonisht të veçanta për RrGK-në. Duke u depozituar në Fondin e Qëndrueshmërisë së RrGK-së, ato mbështesin iniciativa që donatorët tradicionalë nuk i kanë prioritizuar në Kosovë dhe na mundësojnë të reagojmë shpejt ndaj nevojave urgjente, siç është reagimi ndaj legjislacionit të propozuar që kërcënon të drejtat e grave. Kjo mbështetje e rëndësishme ndihmon RrGK-në të bëjë përparim drejt arritjes së objektivave tona strategjike për:

– Përmirësimin e të drejtave të grave dhe vajzave me legjislacion më të mirë, buxhete dhe zbatimin e tyre

– Adresimin e dhunës me bazë gjinore

– Fuqizimin ekonomik të grave

– Përmirësimin e cilësisë, arsimit të përgjegjshëm gjinor, duke përfshirë punën me burra dhe djem

– Adresimin e ndryshimeve klimatike me një qasje të përgjegjshme gjinore

Gjesti bujar i Gaby dhe Rob dhe dhuratat e mira nga miqtë dhe familja e tyre do të vazhdojnë të mbështesin, mbrojnë dhe promovojnë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave për vite me radhë.

Për të ndjekur atë që bën RrGK-ja dhe si i përdorim këto dhurata të mira, ju lutemi vizitoni www.womensnetwork.org dhe/ose regjistrohuni në buletinin tonë mujor duke dërguar një email në info@womensnetwork.org.

Nëse dëshironi të kontribuoni për RrGK-në, duke mbështetur të drejtat e grave dhe vajzave, ju lutemi vizitoni faqen tonë të internetit https://womensnetwork.org/donate/.