Rreth 90 kilometra larg nga Prishtina ndodhet Krusha e Madhe, fshat ky që në mendje ta sjellë luftën e fundit në Kosovë, e simbolin e rezistencës, Fahrije Hotin.
Historia e Fahrijes mbanë në vete historinë e mijëra grave të tjera në Kosovë, e puna e saj sot merret si shembull suksesi anë e mbanë botës.
Forca e saj u bë forcë për shumë gra të tjera, e forca që ajo kishte në atë kohë që t’i vlerësohen të drejtat e saja, duke nisur nga e drejta për punë, sot është shtysë që gratë të mos ndalen e të fitojnë të drejtat e tyre.
Ndonëse larg nga qendra e Kosovës, Fahrija arriti t’ia dal që përpos veten, në këmbë të mbajë edhe shumë vajza e gra të tjera, që u diskriminuan nga shoqëria. Me punën e tyre, fituan të drejtat që u takojnë.
E një fat si të Fahrisë nuk e kanë as sot shumë gratë e vajza në Kosovë.
Organizatat jo qeveritare që merren me të drejtat e grave e me promovimin e tyre po vlerësojnë se largësia me qendrat e qyteteve e me kryeqytetin e Kosovës po bën që puna e grave të mos njihet e vlerësohet aq sa duhet.
Madje këto OJQ po vlerësojnë se fokusi më i madh i donatorëve është tek organizatat që janë më të mëdha e që zakonisht të njëjtat janë në zona urbane e fare pak në ato rurale.
Nga Hasi i Prizrenit – me gratë e për gratë
Është Marte Prekpalaj nga organizata jo qeveritare “Gratë Vizionare të Shekullit XXI” që si pak kolege të saj pati guximin të punoj me gratë e qendrën të mos e ketë në zonë urbane.
Vështirësitë i shtohen pasi puna e saj fokus kryesor ka gratë në fshatra, e qendrën e OJQ-së ku ajo punon e kanë në Has të Prizrenit.
“Jemi në Has në Prizren. Në përgjithësi OJQ-të qendrat i kanë në qytete, unë jam ndër të rrallat që qendrën e kam në Has këtu, larg nga qyteti” – thotë Prekpalaj.
Ajo, si shumë bashkëpunëtore të saj, mendon se organizatat që janë në qytet, më afër qendrës, e kanë punën më të lehtë.
Mirëpo, Prekpalaj prapë thotë se falë dëshirës për të punuar në të mirë të grave, bën që ajo të vazhdojë punën e në fund të dal fitimtare.
“Edhe unë kur kam apliku në projekte, nuk e kam pas të vështirë se tash teknologjia po na i jep mundësitë, mirëpo po qëndron edhe ajo që OJQ-të në qendër kanë lehtësira” – shprehet ajo.
E njëjta thekson se angazhimi dhe puna më e madhe për gratë po bëhet nëpër qytete.
“Në fshatra më pak është duke u punu për të drejtat e grave. Njohuritë gratë i kanë, i dinë të drejtat e tyre në shumicën e rasteve për shkak të mjeteve të shumta të informimit që janë aktualisht, mirëpo si po ju qasen rasteve kjo ka shumë rëndësi, duhet të punohet në këtë aspekt”- thotë Prekpalaj.
Ajo shton se me qeverisjen lokale merren më shumë e se me ta kanë bashkëpunim shumë të mirë.
Madje ajo tregon se janë edhe pjesë e Rrjetit të Grave Kosovës dhe vet Prekpalaj është anëtare e rregullt e bashkëpunojnë me këtë rrjet.
“Me anëtarët e RRGK-së vazhdimisht kemi takime dhe bashkëpunojmë”- shton ajo.
Një rrjet të tillë, Prekpalaj thotë se një kohë e kanë pas edhe në mes komunave me OJQ-të e tjera.
“Kemi bashkëpunu mjaftë mirë”- kujton Prekpalaj teksa shton se ky rrjetëzim ka dështuar.
“Po tash ka ra, ka ra edhe bashkëpunimi e edhe ky rrjetëzimi që e kemi pas”- thotë ajo.
Për të drejtat e grave janë angazhuar edhe nga Peja. Nga organizata jo qeveritare “Alma” për KALLXO.com kanë thënë se në mesin e problemeve të tjera që sfidojnë edhe mbylljen e organizatës është që fondet janë fokusuar në qytet, në OJQ-të e mëdha.
“Na kanë ngulfat OJQ-të e mëdha, shumë e thjeshtë, unë bëjë apel edhe nuk do të ndalem deri sa OJQ-të e mëdha mos t’i thithin krejt fondet, mos t’i lënë organizatat që kanë punu me vite me u mbyllë dhe ato e marrin kapacitetin tonë, e marrin punë prej neve, marrin vullnetarizëm”- thotë Shemsie Seferi, drejtuese e “Shoqatës për Emancipimin e Femrës – Alma”.
Seferi thotë se është aktive në formë vullnetare për OJQ-të e mëdha që fokusin e kanë në qytet, e që sipas saj këto organizata në fund përfitojnë fonde.
“Kjo nuk është në rregullt, ta flasim realitetin”- shprehet ajo.
Sipas aktivistes për barazi gjinore, Neri Ferizi, është një pjesë e organizatave në qytetet e vogla që janë të përbëra nga gra të cilat në vazhdimësi kanë kontribuar në çështjen e gruas.
“Këto gra ende qëndrojnë në këto organizata duke mos e fresku ekipin me gra tjera. Gratë e tjera, mendoj unë do të sillnin ide tjera”- thotë Ferizi.
Ajo shton se nëse do të ketë sjellje të aktivisteve të reja nga zona të ndryshme do të bëhej një përfaqësim më i gjerë i grave dhe kauza do të ishte më gjithëpërfshirëse.
Gjendja e vullnetarëve të tjerë për të drejtat e grave
Shtrirja gjeografike ndikon në arsimin e grave, në pjesëmarrjen e tyre në punë e në emancipimin e tyre, përderisa përgjigjet e organizatave tregojnë se kjo shtrirje ndikon edhe në pjesëmarrjen e grave për t’i ditur e për të luftuar për të drejtat e tyre.
Edhe në programin e Kosovës për barazi gjinore të vitit 2020-2024 thuhet se vlerësimet e OJQ-vë dëshmojnë se gratë e zonave rurale dhe ato me më pak arsim formal kanë marrëdhënie më të dobëta me ofruesit e shërbimeve sesa gratë e zonave urbane.
Krahas OJQ-vë që prioritet kryesor kanë të drejtat e grave, janë edhe disa organizata të tjera që në vazhdimësi tentojnë të merren me këtë temë.
Një hulumtim i KALLXO.com kishte bërë të ditur se as në planet e shumicës së Këshillave të Veprimit Rinor Lokal (KVRL) dhe Qendrave rinore të cilat funksionojnë në disa komuna të Kosovës, që janë afër e larg kryeqytetit, nuk janë paraparë aktivitete të edukimit për barazi gjinore në vitet e fundit.
Një rast i tillë që e përshkruan mjaftë mirë situatën në të cilën gjendet Kosova, është Këshilli i Veprimit Rinor Lokal në Mitrovicë të cilët kishin thënë se në tri vitet e fundit nuk kanë mbajtur aktivitetet për barazi gjinore.
“KVRL Mitrovicë për momentin është duke kaluar në një fazë zgjedhore. Ju informojmë se aktivitete të tilla nuk kemi mbajtur në tri vitet e fundit”- kishin deklaruar shkurt për KALLXO.com nga ky Këshill.
Pra, kjo dëshmon se ndonëse Mitrovica që nuk llogaritet si një qytet i vogël, pasi sipërfaqja e saj kalon 300 km2, prapë largësia e saj me kryeqytetin bën që aktivitetet për të drejtat e grave të jenë më të shpeshta e OJQ-të për këto çështje të jenë më të pakta.
KALLXO.com ka kontaktuar me Neri Ferizi, aktiviste për të drejtat e grave në këtë qytet. Ajo thotë se në Kosovë ende ekziston ndarja klasore duke u bazuar në prejardhje gjeografike.
“Diskriminimi në bazë të shtrirjes gjeografike është tepër i theksuar në Kosovë, në Prishtinë ndjehet njëfarë lloj superioriteti” – thotë ajo teksa shton se shtrirja gjeografike, mbetet si përcaktuese e progresit dhe vetëdijes ende në Kosovë.
Sipas Ferizit, puna e OJQ-ve që merren me të drejtat e grave në zona rurale vlerësohet deri në një masë.
“Kjo vërehet edhe në mbështetjen që e kanë organizatat në Prishtinë, e po ashtu ndikimin që e kanë ato për shkak që kanë krijuar rreth më të gjerë. Pastaj, konteksti historik i secilit qytet ndryshon, dhe nganjëherë nuk i kemi sfidat e njëjta dhe idetë, të cilat ide mund të zhvillohen lirshëm në Prishtinë, e nuk mund të jenë relevante në qytetet tjera”- thotë aktivistja nga Mitrovica.
Ajo thotë se fokusi për të punuar për gratë do duhet tani të zhvendoset edhe në qytetet e tjera të Kosovës.
Përkrahja e OJQ-ve që veprojnë në zonat rurale
Rrjeti i Grave të Kosovës në vitin 2012 kishte krijuar Fondin e Grave të Kosovës.
E sipas Rrjetit ky fond ofron grante të vogla për organizatat e grave që nuk kanë qasje në burime të tjera të financimit dhe të cilat kërkojnë të punojnë për të drejtat e grave.
Të veçuara në këtë fond janë OJQ-të të cilat veprojnë në vendet rurale, e po ashtu ishin veçuar edhe ato organizata që merren me grupe të margjinalizuara.
Krijimi i këtij fondi kishte ardhur pas zhvendosjes së prioriteteve të ndihmës dhe zvogëlimit të buxheteve që kanë detyruar shumë donatorë në Kosovë që të mbyllin programet e tyre të granteve apo të zvogëlojnë fondet për organizatat joqeveritare.
OJQ-të më të vogla, që zakonisht janë në qytete larg qendrave kryesore të Kosovës, e që merren me të drejtat e grave, e me të cilat ka komunikuar KALLXO.com pretendojnë se janë të diskriminuara.
Ministria e Drejtësisë, kur ishte pyetur nga KALLXO.com nëse ka diskriminim në mes organizatave, në bazë të madhësisë së tyre, pasi pretendimet e OJQ-ve më të vogla ishin se ka dallime, Ministria kishte mohuar diçka të tillë.
“MD nuk e bën një dallim të tillë. Çdo OJQ e cila është e licencuar në fushën e mbrojtjes sociale dhe dhënies së shërbimeve sociale dhe e cila i plotëson kushtet sipas legjislacionit në fuqi, do mbështetet përmes subvencionimit nga Ministria e Drejtësisë”- kishte thënë MD.
Në anën tjetër, për përkrahjen e qeverisja qendrore e lokale për OJQ-të e grave, aktivistja Neri Ferizi thotë se së fundmi, ka një rritje të përkrahjes, por që sipas saj nevoja për përkrahje është më e madhe në vendet jashtë kryeqytetit.
Ajo thotë se kjo bën që të kuptohet që ka pabarazi në ndarjen e mjeteve për OJQ-të.
Ministria e Drejtësisë, në përbërjen e saj ka Departamentin për Politika të Shërbimeve Sociale, i cili deri në dhjetor të vitit 2022 kishte funksionuar në kuadër të Ministrisë së Financave.
Në fillim të 2023-ës, Ministria e Drejtësisë, në përputhje me përgjegjësitë, kishte hapur thirrjen për subvencionim të OJQ-ve të cilat ofrojnë shërbime sociale dhe familjare për qytetarë në nevojë sociale.
Për vitin 2023, sipas MD-së, Qeveria e Kosovës, ka mbështetur subjektet juridike gjegjësisht OJQ-të, për periudhën janar-prill 2023 në vlerë prej 500 mijë euro.
Ministria e Drejtësisë kishte thënë se janë në proces e sipër të mbështetjes financiare në vlerë prej 1 milion e 500 mijë euro periudhë maj-dhjetor 2023 deri në shkurt 2024.
Përgjigjet e MD-së kishin bërë të ditur se në vitin 2022, Ministria e Financave, kishte mbështetur financiarisht organizatat në vlerë prej 1 milion euro. Ku prej kësaj shume, 400 mijë euro ishin ndarë për strehimoret, ndërsa 600 mijë për OJQ-të tjera të cilat ofrojnë shërbime sociale dhe familjare.
Pra nga kjo vlerë monetare në 2022 janë mbështetur 44 Subjekte Juridike, prej tyre 10 strehimore dhe 34 OJQ tjera në të gjithë territorin e vendit.
Kallxo.com