Dita e Grave Sipërmarrëse (WED) u mbajt për herë të parë në Kosovë me 19 nëntor 2014, në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrësisë (GEW) nën Patronatin e Presidentes së Republikës, Shkëlqesisë së saj, znj. Atifete Jahjaga.
“Ndërmarrësia është gjenerator i zhvillimit ekonomik dhe atij social, andaj e them pa hezitim se një shoqëri e cila mbështet shpirtin ndërmarrës në mesin e saj, është një shoqëri vizionare dhe është një shoqëri e cila e ka trasuar për vete dhe qytetarët e saj, një të ardhme më prosperuese,” u shpreh znj. Atifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës. “Fuqizimi ekonomik i gruas buron nga dhuntitë dhe shkathtësitë e gruas, dhe merr formë kur grave ju ofrohen mundësitë e barabarta, duke përfshirë të drejtat e tyre të plota ligjore dhe qasjen e drejtë në mundësi dhe në burime.”
Mirlinda Kusari-Purrini, Themeluese dhe Drejtore Ekzekutive e Shoqatës Afariste të Gruas SHE-ERA, shoqatë e cila merret me Fuqizimin Ekonomik të Grave është përzgjedhur ambasadore e WED për shtetin e Republikës së Kosovës nga 153 shtete pjesëmarrëse të këtij evenimenti.
Në kuadër të Ditë së Grave Sipërmarrëse (WED), ishte përfshirë edhe një fushatë që synon që të angazhohen gratë dhe burrat në nivel global dhe të ofrojnë përkrahjen e tyre konrete financiare (në thesar), në talent apo kohë për një sipërmarrëse ose një çështje.
“Dita e Grave Sipërmarrëse (WED) është dita kur festojmë të arriturat e grave sipërmarrëse, fuqizojmë dhe përkrahim iniciativat e tyre,” tha Wendy Diamond, Themeluese dhe Drejtore Ekzekutive e WED.