Drejtësi për Zejnepen: Vrasësit të Zejnepes i rritet dënimi në 17 vjet burgim

 

Organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), me 4 gusht, në ora 10:00, rreth 50 aktivistë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarë, u mblodhën në protestën paqësore para Pallatit të Drejtësisë, për të kërkuar dënim maksimal për Nebih Berishën, vrasësin e viktimës së dhunës në familje Zejnepe Berisha.
Pasi që institucionet e drejtësisë nuk po ndërmerrnin masat e duhura, pas reagimeve të shumta, përfshirë këtu edhe protestën me 14 prill (#drejtësipërzejnepen), RrGK angazhoi avokaten Fehmije Gashi Bytyqi që të përfaqësonte familjen e Zejnepes. Si rezultat, pas ankesave të bëra nga përfaqësuesja e familjes së Zejnepes, Gjykata e Apelit në Prishtinë ka vendosur që të mbajë një seancë me 4 gusht në ora 10:00. 
Pas vrasjes së Zejnepës, me urdhër të Gjykatës Themelore të Prizrenit me 12 prill vrasësi i viktimës është dënuar me vetëm 12 vjet burg. Kodi Penal i Republikës së Kosovës, në nenin 179 mbi Vrasjen e Rëndë thotë se “Me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet personi i cili: … 1.3. privon nga jeta anëtarin e familjes”. Duke marrë parasysh rrethanat se si ka ndodhur kjo vrasje, peshën e veprës dhe dhunën sistematike që viktima ka përjetuar, RrGK kishte konsideruar këtë dënim si jo proporcional me veprën e kryer duke angazhuar kështu edhe avokaten në fjalë.
Duke marrë parasysh gjitha rrethanat, Gjykata e Apelit e aprovoi ankesën e prokurorisë dhe përfaqësueses së palës së dëmtuar, duke ndryshuar vendimin mbi dënimin. Kjo gjykatë, vrasësin e Zejnepe Berishës e ka dënuar me 17 vjet burgim për “Vrasje e rëndë” nga neni 179 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 i të njëjtit kod.
RrGK beson që me vendime të drejta, organet e drejtësisë mund të ndikojnë në uljen e dhunës, respektivisht krimit, duke konsideruar se dhuna në familje është krim!