“Drugëza” harton Strategjinë pesëvjeçare të organizatës

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) po vazhdon ngritjen e kapaciteteve të organizatave anëtare nga tërë Kosova.

Duke ditur se funksionimi i çdo organizate varet nga planifikimi paraprak strategjik, rundi i 16 i Fondit të Grave të Kosovës (FGK), në kuadër të mbështetjes organizative, përfshin mbështetje për hartimin e strategjive të tetë organizatave përfituese.

Në këtë kontekst, OJQ “Drugëza” e përmbylli vitin 2021 me një punëtori dy-ditore të mbajtur në Durrës, e cila mblodhi aktivistë të Skënderajt e bashkëpunëtorë të tjerë për të kontribuuar në Strategjinë pesëvjeçare të kësaj organizate. Rishikimi i misionit e vizionit të organizatës ishte një nga pikat kyçe të kësaj punëtorie. 

Nga diskutimet e përbashkëta të aktivistëve që e njohin punën e Drugëzës përgjatë viteve dhe nevojat e grave të Skënderajt, u dakordua që fushat ku kjo organizatë duhet të përqendrohet janë:

  • Fuqizimi ekonomik i grave, me theks të veçantë i atyre në zonat rurale;
  • Fuqizimi i rolit të gruas në vendimmarrje;
  • Qasje e barabartë në shërbime shëndetësore, dhe 
  • Ngritja e kapacitetit të stafit të organizatës. 

Eksperti i angazhuar për hartimin e strategjisë, Artan Binaku, tha se kanë pasur diskutime të shumta duke hulumtuar e identifikuar opsionet më të mira strategjike.

Ajo që ka lehtësuar procesin e zhvillimit të strategjisë ka qene fakti që kishte gjithëpërfshirje dhe pajtim në shumicën e temave të propozuara. Besoj se për shkak të mungesës së burimeve, stafit, dhe financave, organizata do të ketë sfida në zbatimin e saj, por më mbështetjen e RrGK-së do të arrijnë t’i përmbushin synimet e përcaktuara”, tha ai. 

Tutje, Menaxherja e organizatës, Gentiana Zeqiri, vlerësoi mbështetjen e marrë nga RrGK për hartimin e kësaj Strategjie, e cila do të jetë pikënisje për çdo planifikim të mëtejmë të punës së organizatës.

Hartimi i Strategjisë për periudhën 2022-2026 na ofron një ide të qartë të punëve që synojmë të bëjmë në të ardhmen, e po ashtu edhe të konsiderojmë aspektin e buxhetit për secilën fushë të intervenimit”, u shpreh ajo.

Kujtojmë se “Drugëza” është themeluar në vitin 2016, me qëllim të përmirësimit të pozitës së gruas në shoqëri, avancimit të të drejtave të grave, dhe angazhimit të tyre në punë artizanale, dhe jo vetëm.   

Ky aktivitet është mbështetur nga përkrahësi i rundit të 16 të FGK-së, Trusti Sigrid Rausing.