Drugëza informon vajzat dhe grat për të drejtën në qasje shëndetësore

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Drugëza ka realizuar me sukses projektin i cili  mbështetet nga rundi i 16 i Fondit të Grave të Kosovës, falë mbështetjes financiare nga Sigrid Rausing Trust.

Përgjatë kësaj nisme janë mbajtur takime për rëndësinë e parandalimit dhe trajtimit të kancerit të gjirit, si dhe për mënyrat më të mira për t’u kujdesur për shëndetin riprodhues.

Gjithashtu përgjatë zbatimit të projektit ka pasur ligjërata edhe për shëndetin fizik, ku nga doktorët janë informuar nga afër me temat e hipertensionit, pasojat dhe problemet të cilat i prekin këto çrregullime. 

Përfitues të kësaj nisme kanë qenë 215 persona, ku është depërtuar edhe në  fshatra më të thella, për t’i informuar gratë  për kancerin e gjirit, format parandaluese dhe trajtuese.

Përveç që janë informuar për sëmundje, të pranishmit kanë marrë informacione edhe për të drejtat e pacienteve, meqë iu mungonin informatat e detajizuara.

Po ashtu janë mbajtur ligjërata për shëndetin  mendor dhe së bashku me psikologun janë zgjedhur  për diskutim tema aktuale si, ndikimi i rrjeteve sociale tek të rinjtë, problemet me adoleshencë, përballja e prindërve me të rinjtë problematikë, sfidat e mësimdhënësve në edukimin e brezave të rinj etj.

Përmes trajtimit të këtyre temave, banorët e fshatrave, prindërit, mësimdhënësit por edhe të rinjtë, kanë pasur mundësi të mësojnë se si të menaxhojnë më mirë me aspekte të ndryshme të shëndetit mendor.

OJQ Drugëza gjithashtu përmes kësaj nisme ka punuar edhe në fuqizimin ekonomik të grave me theks të veçantë në zonat rurale, fuqizimi i rolit të gruas në vendimmarrje, qasje e barabartë në shërbimet shëndetësore, si dhe ngritja e kapaciteteve të stafit të Organizatës.

Përmes raundit të 16-të FGK-së, RrGK ka ofruar mbështetje organizative për organizatat anëtare përfituese të granteve të këtij raundi.