Më 2 shkurt, organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Down Syndrome Kosova ka zhvilluar takim me përfaqësuesit e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Drejtorisë së Arsimit, Drejtorisë së Kulturës, Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Ferizajt, Organizatës Handikos si dhe Organizatës Pema.
Në takim janë diskutuar çështjet si vijon:
- Rregullimi i qasjes për personat me aftësi të kufizuar në institucione të ndryshme;
- Përditësimi i bazës së të dhënave për personat me aftësi të kufizuara në Komunën e Ferizajt;
- Monitorimi i zbatimit të planit individual;
- Trajnime të vazhdueshme për mësimdhënësit/et për qasjen e personave me aftësi të kufizuar;
- Akreditimi i programeve për ofruesit e shërbimeve;
- Fuqizimi i prindërve për kërkimin e të drejtave të fëmijëve;
- Exit strategji për klasa të bashkangjitura;
- Të gjitha sektorët duhet të ofrojnë punë praktike dhe pa pagesë;
- Krijimi i mundësisë për nënat që të mund të punojnë për shitjen e produkteve vendore;
- Programet trajnuese dhe grantet e sektorit të rinisë dhe të drejtorive të tjera që të kenë kuotën 5% për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara.
“Prezantimi i rekomandimeve specifike te drejtoritë është një takim shumë i rëndësishëm pasi ka shtyrë përfaqësuesit/et nga drejtoritë të reflektojnë mbi punën e tyre dhe çka janë duke punuar momentalisht për angazhimin e personave me aftësi të kufizuara në sferën politike, ekonomike, sociale dhe atë kulturore”, u shpreh Jetbardha Selmani- Koordinatore e Projektit.
Down Syndrome Kosova, Handikos dhe Organizata Pema shprehën gatishmëri të ndihmojnë dhe të ofrojnë ekspertizën e duhur për institucionet për përmirësimin e kushteve të personave me aftësi të kufizuara.
Rekomandimet nga ky takim do të përfshihen në Planin Strategjik Komunal për Personat me aftësi të Kufizuara në Komunën e Ferizajt.
Ky aktivitet u mbajt në kuadër të nismës “Përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në vendimmarrje politike, e cila mbështetet nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.