Transporti formëson jetën e përditshme, por jo të gjithë e përjetojnë atë në mënyrë të barabartë.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka publikuar Analizën e parë gjithëpërfshirëse Gjinore të Transportit Tokësor në Kosovë, e cila hedh dritë mbi mënyrën se si sistemet e transportit ose mungesa e tyre ndikojnë ndryshe tek gra, burra, vajza dhe djem nga komunitete të ndryshme në të gjithë vendin.
Ky hulumtim pionier tregon qartë se transporti nuk ësht neutral gjinor. Gratë kanë më pak gjasa të zotërojnë ose të kenë qasje në mjete të ndryshme transporti, veçanërisht në zonat rurale. Personat me aftësi të kufizuara përballen me barriera të vazhdueshme fizike dhe institucionale, ndërsa kujdestarët/et (zakonisht gratë) hasin vështirësi për shkak të infrastrukturës që nuk i plotëson nevojat e tyre të përditshme të lëvizjes. Shqetësimet për sigurinë, përfshirë ngacmimin seksual dhe hapësirat publike të ndriçuara ose të dizajnuara dobët, vazhdojnë ta kufizojnë lirinë e lëvizjes, veçanërisht për gratë dhe vajzat.
Duke përdorur një qasje ndërsektoriale, raporti thekson se forma të shumta të pabarazisë mbivendosen. Komunitetet Roma, Ashkali dhe Egjiptian përballen me qasje të kufizuar në transport të besueshëm dhe me diskriminim, i cili shpesh përforcohet nga diskriminimi gjinor. Banorët e zonave rurale dhe të thella përballen me lidhje të dobëta dhe shërbime të pamjaftueshme. Personat LGBTQIA+ dhe gratë, veçanërisht nga komunitetet etnike pakicë, raportojnë se ndihen të pasigurt ose të përjashtuar nga përdorimi i transportit publik.
Përtej ndikimeve sociale, hulumtimi thekson se transporti luan rol kyç në ndryshimet klimatike, shëndetin publik dhe përfshirjen sociale. Investimet e pamjaftueshme në transportin publik, trotuare, infrastrukturë për biçikleta dhe planifikim të përgjegjshëm gjinor jo vetëm që thellojnë pabarazitë, por gjithashtu ulin objektivat klimatike dhe shëndetësore të Kosovës.
Analiza shqyrton kornizën ligjore, politikat, buxhetet dhe praktikat komunale, duke përfshirë studime rasti nga Prishtina dhe Dragashi. Ajo ofron rekomandime konkrete dhe të zbatueshme për institucionet qendrore dhe komunale, me synim zhvillimin e sistemeve të transportit që janë më të sigurta, më të qasshme, më të barabarta dhe më të përgjegjshme ndaj klimës.
kKy publikim është financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe Suedia, përmes Rrjetit të Mbikëqyrjes së Buxhetimit Gjinor. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe komunat e Prishtinës dhe Dragashit kanë ndihmuar në realizimin e hulumtimit.
