“Të Drejtat e Grave-Të Drejtat e Njeriut”, kështu planifikohet të quhet edicioni i ri i podkasteve të cilat do t’i realizojë organizata SHE Solutions/Ajo Zgjidhje, në muajt në vazhdim. Përmes dhjetë podkasteve do të prezantohen personalite të ndryshme që kanë promovuar barazinë gjinore dhe të drejtat e grave në Kosovë.
SHE Solutions ka zhvilluar një seri të podkasteve qysh më parë të titulluar “Spotlight”, ku i është dhënë hapësira tetë (8) grave, të cilat kanë rrëfyer jetën e tyre dhe janë shembuj inspirues për gratë e tjera. Kontributi i tyre vullnetar ndikon në gratë dhe vajzat e reja, për të vazhduar kontributin e tyre. Në këtë edicion të parë janë realizuar tetë (8) podkaste, për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, me qëllimin për të promovuar punën e grave gjatë viteve të rezistencës në Kosovë.
Në edicionin e parë me Gratë, Paqen dhe Sigurinë podkasti ka arritur një numër të madh të shikuesve me rreth 85.000, me analizime, komente dhe shpërndarje.
“Po mendoj që kemi arritë me zgju prej gjumit një pjesë të shoqërisë, moshën e mesme të cilët po mendojnë që askush më nuk po merret me ta, po ndihen të lënë pas dore”.
Ka pasur shumë komente pozitive nga njerëzit, por një frazë që e kujton Antigona, e ka prekur thellë ka qenë: “Mirë që nuk na ke harru!” Kjo shprehje sjell me vete një reflektim të fortë për sa shumë i kemi lënë këta njerëz, këto gra, të ndihen të vetmuara dhe të harruara. Të mendosh që kaq shumë i kemi lënë në harresë është një moment që të prek dhe të bën të ndalesh për të menduar thellë.
Sipas Antigonës, këto janë personalitete që kanë dhënë kontribut, e munden akoma ta gjejnë veten në pjesë më aktive të shoqërisë. “Unë po përpiqem që mos t’i harrojmë, sepse është krijuar një bindje, po mendojmë secili që me neve po fillon gjithcka. Jo, duhet nëse nuk mundemi asgjë tjetër, tu shprehim mirënjohje”.
SHE Solutions me mbështetjen organizative nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i RrGK, në rundin e 18 e ka realizuar projektin “Promovimi i grave në sektorin e sigurisë”. Gjashtë (6) gra nga sektori i sigurisë ishin përfituese të nisëms së SHE Solutions.
Promovimi i grave në sektorin e sigurisë, si në pozitat vendimmarrëse ashtu edhe në ato profesionale brenda sektorit, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe në administratë, është bërë me sukses. Arritjet e tyre janë dokumentuar përmes video-produkteve, të cilat kanë shërbyer për të rritur dukshmërinë e pranisë së grave në këtë sektor dhe janë publikuar në të gjitha platformat sociale të SHE Solutions.
Ndërsa këtë vit, sërish me përkrahjen e FGK, financuar nga SRT, Antigona Baxhaku-Idrizi, Drejtore Ekzekutive e organizatës SHE Solutions, tregon për një seri të re të podkastit të cilin planifikon të realizojë deri në muajin dhjetor të këtij viti. Duke marrë personalitete që kanë një rrugëtim të pasur me punë e cila ka rrjedhur nga dëshira dhe vullneti për të ndikuar në një jetë më të barabratë, për gratë.
Përmes “Spotlight”, SHE Solutions dëshiron të tregojë për gratë të cilat kanë dhënë kontribut në shoqërinë tonë, të ndajë përvojat e sukset e tyre, pasi që ato shpehsherë ndihen që po lihen pas dore. Synimi është të promovohen gratë të cilat në kushte të jashtëzakonshme kanë arritë të jenë të sukseshme.
Në këtë edicion, përmes podkasteve “Spotlight”, organizata synon të promovojë të drejtat e grave si të drejta të njeriut, duke theksuar se të drejtat e grave nuk janë diçka e jashtëzakonshme, por janë të drejta themelore të njeriut të garantuara nga konventat ndërkombëtare, duke përfshirë të drejtën për punësim, arsimim, dhe krijim të familjes.
Me edukim fillon gjithcka thotë Antigona, “Informacioni mendoj që është arma kryesore, kur e din cka mundesh, cka ke të drejtë, edhe e realizon.”
Organizata SHE Solutions është themeluar në qershor të viti 2021, e përcaktuar kryesisht në fuqizimin e grave, në politikë, vendimmarrje dhe jo vetëm, duke e promovuar punën e grave modele që kanë arritë sukses në politikë, në institucione tjera, në vendimmarrje e në biznes.
Këtë radhë, me tema të veçanta, do të përzgjedhen disa personalitete, gra dhe burra që kanë histori për të ndarë. Këto rrëfime, të dokumentuara nga SHE Solutions, do të ruhen në Arkivin e Shtetit dhe do të transkriptohen në gjuhën shqipe dhe angleze.
“Kjo asht problematika, shoqëria nuk duhet me i harru. Duhet t’i gjejmë hapsirë atyre, sidomos kur kanë mundësi të japin ende.”
Përmes këtij projekti, She Solutions, kontribon në zbatimin e Strategjisë së Rrjetit duke u bazuar në këto dy pika, Avancimi i barazisë gjinore përmes sundimit të ligjit; dhe Transformimi i normave gjinore përmes edukimit.
Kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës me një grant prej 10,000€ financuar nga Trusti Sigrid Rausing.